Pas 15 janarit seancë e veçantë për buxhetin, Qeveria e bindur se do të votohet

Prishtinë | 04 Jan 2019 | 12:55 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pas 15 janarit Kuvendi i Kosovës do të mblidhet për t’i dhënë dritën jeshile buxhetit për vitin 2019. Fillimi i këtij viti e ka gjetur vendin pa miratimin e buxhetit.

Pas shumë kundërshtimeve nga opozita, projekt-buxheti është votuar në leximin e parë me mbështetje të Partisë Socialdemokrate.

Haki Shatri, këshilltar i kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj i tha Ekonomia Online, se nga mesi i muajit janar do të caktohet seancë nga Kryesia e Kuvendit për miratim të buxhetit.

“Unë shpresoj që sipas asaj që kom dëgjuar është që kryesia e kuvendit e ka bë një program pune me të cilin parashihet që nga mesi i këtij muaji pra, diku nga 15 janari, me u mbajt seancë e veçantë për buxhetin dhe besoj që buxheti në leximin e dytë do të finalizohet dhe do të vazhdojmë punën pa asnjë lloj problemi”.

“Pas muajit shkurt janë rrethanat tjera, dhe kuvendi duhet me marr vendim. Nuk guxon me kaluar dhe mund të ketë vështirësi, por unë mendoj që deri atëherë institucionet dhe Kuvendi i organizon krejt forcat edhe do të miratohet, nuk ka dilemë që do të miratohet”.

Sipas tij, viti do të duhej të fillonte me buxhet të votuar, derisa u shpreh optimist që ai do të kaloj në lexim të dytë.

Shatri ka thënë se me Ligjin për menaxhimin e financave publike, Qeveria mund të punoj me buxhetin e vitit paraprak deri në shkurt.

Ndërkaq sipas tij, nëse kjo nuk do të votohet deri atëherë, vendi do të përballet me vështirësi dhe i mbetet Kuvendit të marr vendim, raporton EO.

“Është çështje politike, pozicioni i opozitës, bile mundem me thënë se nëse kanë sukses opozita mos me kaluar buxheti është suksesi më i madh u opozitës për me rrëzuar një Qeveri në pushtet, kjo është në çdo vend në botë edhe tek ne është normale dhe legjitime, sepse e kanë një mekanizëm të mundshëm nëse i kanë numrat për me arrit një qëllim politik”.

“Ajo çka unë mendoj është që buxheti ka qenë mirë me u votuar edhe në leximin e dytë para vitit të ri, në mënyrë që 1 janari me gjet vendin me buxhet të miratuar dhe me funksionuar çdo gjë sipas ligjit në fuqi”.

“Mirëpo, Ligji për menaxhimin e financave publike, e ka paraparë mundësinë që mund të ndodhë që buxheti mos me u miratuar para vitit të ri dhe viti i ri buxhetor me filluar pa buxhet të miratuar, në këtë rast ligji parasheh një zgjidhje të përkohshme që është vazhdimi i buxhetit me nivelin e vitit paraprak, me mesatare të vitit paraprak. Në këtë mënyrë lejohet për janar 1/12 e buxhetit me u shpenzuar edhe për shkurt 1/12 që i bie 1 muaj”.

“Kjo është një zgjidhje ligjore nuk ka kurrfarë pasojash as probleme, nuk ka pasoja sepse ato që nuk lejohen me u realizuar me buxhet të pamiratuar para vitit 2019 do të fillojnë projektet kapitale. Mirëpo ne e dimë që në janar asnjë projekt kapital nuk fillon me u realizuar, as në shkurt për shkak të rrethanave të motit dhe kushteve atmosferike por mundësia për mu zhagit pak ose mu shty është njëfarë dëmi i vogël bëhet, por nuk është diçka që është kolaps, ka rrugëdalje”.

Ai ka folur edhe për rritjen ekonomike të vendit ku ka thënë se presin që edhe vitin e ardhshëm kjo rritje të intensifikohet, raporton EO.

“Rritja ekonomike e vendit është ajo që po shpresoj që deputetet kanë me akceptuar dhe kanë me u mobilizuar me votuar buxhetin brenda këtij muaji dhe me vazhduar puna jo vetëm për pjesën e shpenzimeve siç janë pagat e shpenzimet, por edhe projektet kapitale dhe mos me u ndërpre puna e mirë që ka filluar në vitin 2014 kemi pas një rënie të madhe ekonomike gati zero për të filluar pastaj një ringjallje nga viti 2015 në vitin 2017 dhe 2018 kemi pas një rritje mjaft dinamike”.

“Jo të mjaftueshme për me i zgjedh problemet që i ka Kosova në papunësi e varfëri por një rritje mjaft dinamike që është më e madhja në vendet e regjionit dhe që po tregon një stabilitet në rritje prej 4% sa ka qenë”, tha ai.

Lexo më shumë:

Të ngjashme