Pas kërkesës së AKK-së, Murati thotë se kanë ndarë buxhet rekord për komunat në vitin 2023

Prishtinë | 09 Gus 2022 | 17:10 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), Hekuran Murati, njoftoi të martën se kanë ndarë buxhet rekord për komunat në vitin 2023.

Ai bëri të ditur se buxheti që do t’u ndahet komunave për vitin e ardhshëm është për 15 për qind më i lartë sesa ai i këtij viti.

“Kjo është rritja më e madhe vjetore që ka ndodhur ndonjëherë, dhe vjen falë performancës së mirë në rritjen e të hyrave në buxhetin e shtetit”, shkroi Murati.

“Pra do të jenë 654 milionë euro që do t’u ndahen komunave, ashtu që ato të ofrojnë më shumë shërbime për qytetarët”, shtoi ai.

Tutje, tha se pretendimet se ka bllokim të buxheteve komunale janë shpifje dhe aspak të vërteta.

“Secila komunë, për vitin aktual ka buxhetin e miratuar dhe mund të ekzekutojë pagesat pa asnjë problem. Ndërsa qarkorja buxhetore për vitin 2023 ndahet me kohë, dhe çdoherë brenda afateve që parashihen me legjislacion. Vetëm dikush që nuk merr vesh fare në procesin buxhetor, mund të pretendojë se qarkoret për vitin 2023 po bllokojnë investimet në vitin 2022”, përfundoi ministri Murati.

Ndryshe, opozita, kryetarët e komunave dhe shoqëria civile kanë akuzuar Qeverinë e Kosovës për bllokim të buxhetit për komunat.

Ndërsa, Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka kërkuar dje urgjentisht nga Ministria e Financave që të lëshojë Qarkoren e dytë Buxhetore.

Lëshimi i kësaj Qarkore iu mundëson Komunave të Kosovës që të fillojnë procesin final të planifikimit buxhetor.

Të ngjashme