Pas reciprocitetit – Serbia eksportoi 16 milionë euro në Kosovë, kryesisht ushqim e barna

Prishtinë | 29 Pri 2020 | 11:45 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Që nga vendosja e reciprocitetit me Serbinë, importi total nga ky shtet kap shifrën e 16 milionë euro, ndërsa Kosova ka eksportuar në Serbi afro 6.5 milionë euro, raporton Ekonomia Online.

Nga 1 prilli, Serbia ka arritur të fusë në Kosovë 2 200 dërgesa, më së shumti nga industria ushqimore, material ndërtimor si dhe barna.

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se pas vendosjes së reciprocitetit, është parë një rritje e vazhdueshme e importeve nga Serbia.

“Që nga data 1 prill, kur edhe Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për heqjen e taksës 100 për qind dhe vendosjes së reciprocitetit, ne kemi parë rritje të vazhdueshme të importeve nga Serbia, po ashtu edhe nga Bosnja. Derisa në 10-ditëshin e parë, importi ka qenë në vlera shumë të ultë, këto 20 ditët e fundit të këtij muaji, ne kemi parë normalizim të situatës”.

“Nga Serbia dhe nga Bosnja kanë hyrë një numër i madh i dërgesave. Nga Serbia deri më tani kemi më shumë se 2200 dërgesa ndërsa nga Bosnja rreth 300 dërgesa të mallrave të ndryshme. Ndërsa si vlera monetare, importi total nga Serbia deri më sot është 16 milionë euro, ndërsa nga Bosnja është 3 milionë euro”, u shpreh ai.

Stavileci ka saktësuar se pas pandemisë, Kosova importon medikamente nga Serbia.

“Në këtë periudhë të pandemisë, importi në përgjithësi është fokusuar në produkte më esenciale. Nga Serbia dallojnë tri industri kryesore që janë duke u importuar në Kosovë, janë industria ushqimore, industria e materialit ndërtimor si dhe industria e barnave. Pra kemi import të medikamenteve të cilat vijnë nga Serbia”, tha ai.

Ndonëse fillimisht ishte krijuar konfuzion, Stavileci thotë se dërgesat që vijnë nga Serbia, iu përmbahen të gjitha emërtimeve në aspektin kushtetues.

“Normalisht, kontrollet i kemi të shtuar në relacion me mallrat nga Serbia, për arsye se duhet të aplikojmë reciprocitetin. Deri më tani përveç ditëve të para kur ka pasur një lloj konfuzioni me një ose dy dërgesa, deri tani të gjitha dërgesat cilat vijnë nga Serbia, iu përmbahen të gjitha emërtimeve të Kosovës siç duhet të jenë, si në aspektin kushtetues po ashtu edhe në aspektin e Kosovës në raport tregtar me vendet e tjera”, u shpreh ai.

Në këtë fazë, sipas Stavilecitit, produktet që kanë pësuar rënie janë ato që quhen si produkte të luksit, për shkak se konsumi është adresuar tek produktet e domosdoshme.

Nga ana tjetër, Kosova ka arritur të eksportojë në Serbi afro 6.5 milionë euro.

“Edhe në shtete të tjera prapë dominon këto lloje industrish të cilat i përmenda, dhe me shtete tjera ka një rënie të produkteve. Produktet që kanë pësuar rënie në këtë fazë janë produktet e luksit, për shkak se edhe konsumi është adresuar tek produktet e domosdoshme dhe jo te produktet tjera”.

“Ka një rënie të lehtë edhe eksportet kosovare, por prapë në trendët e njëjta. Më duhet të them që eksporti i Kosovës gjatë këtij muaji ka pasur një zhvillim mjaftë të mirë në aspektin e eksportit të produkteve drejt Serbisë. Ky muaj deri më tani ka arritur në 6.5 milionë euro eksportet e mallrave të Kosovës drejt Serbisë”, u shpreh ai.

Të ngjashme