Për një vit, AKP punësoi 68 persona pa konkurs

Prishtinë | 16 Kor 2020 | 12:47 | Nga Ekonomia Online

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) gjatë vitit 2019 kishte angazhuar 68 punonjës me marrëveshje për shërbime të veçanta pa zhvilluar asnjë procedurë formale të rekrutimit.

Kjo gjetje e Auditorit të Përgjithshëm në raportin e auditimit për AKP-në është cilësuar si shkelje e rëndë nga ana e menaxhmentit.

“Angazhimi i punonjësve me marrëveshje për shërbime të veçanta pa procedura të thjeshtësuara të rekrutimit kufizon konkurrencën dhe rritë rrezikun që përzgjedhja e stafit të bëhet në mënyrë jo transparente dhe si pasojë shërbimet e pranuara të mos jenë në përputhje me nevojat e AKP-së”, thuhet në raportin e Auditorit.

Kjo agjenci drejtohet nga Valon Tolaj, i cili ka qenë për shumë vjet sekretar organizativ në AAK-në e Ramush Haradinajt..

Mirëpo, veç punësimeve pa konkurs, Auditori gjeti edhe shkelje tjera.

“Ne analizuam 11 marrëveshje dhe vërejtëm se pesë të punësuar janë angazhuar dy herë brenda
vitit përderisa dy persona janë angazhuar që nga viti 2016, përkatësisht 2017 duke ju vazhduar kontratat nga 6 Muaj në vazhdimësi”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, Kryesuesi i Bordit duhet të siguroj se për angazhimin e stafit për shërbime të veçanta zhvillohen procedura të thjeshtëzuara të rekrutimit, në mënyrë që procesi të jetë transparent. (Buletini Ekonomik)

Të ngjashme