Për zyrat e 34 punëtorëve, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore paguan 170 mijë euro qira

Prishtinë | 29 Sht 2018 | 07:14 | Nga

Për akomodimin e një “klase” punëtorësh prej 34 vetash, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore paguan mbi 14 mijë euro qira në muaj, apo afro 170 mijë euro në vit. Kontrata në mes Fondit dhe një kompanie private është e vlefshme pesë vjet dhe është nënshkruar në dhjetor të vitit 2017.

Zyrtarët e Fondit nuk kanë komentuar nëse angazhimet e këtij institucioni dhe numri i stafit arsyeton lartësinë e qirasë. Kanë thënë se janë duke u përpjekur që të gjejnë një lokacion për ndërtimin e objektit të tyre, shkruan sot Koha Ditore.

“Ministra e Administratës Publike është deklaruar se aktualisht nuk kemi mundësi t’ju akomodojmë diku në objektet qeveritare shtetërore. Ne kemi ndërmarrë hapat për gjetjen e një lokacioni të përshtatshëm për fondin”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për komunikim e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Hapësira e objektit ku është akomoduar Fondi është rreth 1300 metra katrorë.

Çmimet e tregut në Prishtinë, në zonat elitare, janë dukshëm më të ulëta sesa vlera e kontraktuar nga FSSH-ja. Pronari i një shtëpie pesëkatëshe, e gatshme për shërbime të ngjashme me të Fondit, ka publikuar shpalljen për qira në internet, me ofertë 4 300 euro në muaj, apo 10 mijë euro më lirë. Hapësira e këtij objekti, që gjendet në lagjen “Arbëria”, në afërsi të shumicës së ambasadave të huaja në Prishtinë, është 1 200 metra katrorë, pa përfshirë oborrin dhe parkingun. Në disa zona të qytetit qiraja është edhe më ulët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme