Përmbyllet programi ACCESS, për katër vjet mbështeti 62 biznese për fuqizim digjital

Prishtinë | 16 Maj 2022 | 13:16 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është mbajtur ngjarja përmbyllëse e programit ACCESS – “Qasja në Treg dhe Shërbimet e Digjitalizimit për Bizneset Kosovare”, program ky i cili përgjatë katër viteve përkrahu zhvillimin dhe transformimin digjital në sektorin privat dhe publik në Kosovë.

Programi ACCESS është financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), bashkëfinancuar nga Qeveria e Kosovës, ndërsa u implementua nga organizata ECIKS.

Kujtim Dobruna, udhëheqës i Programit ACCESS dhe president i ECIKS, tregoi aktivitet kryesore të projektit, i cili është realizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, dhe atë të Industrisë, duke ofruar shërbimet të digjitalizimit për kompani të reja.

“Pas gati katër vitesh, një periudhë intensive, ACCES do të përmbyllë punën e vet me rezultate të jashtëzakonshme dhe me të arritura mbresëlënëse”, u shpreh Dobruna.

“Kemi lansuar nismën për fuqizim digjital dhe të konsulencës. Kosova është dukë bërë Ligjin për Siguri Kibernetike”.

Ai theksoi se në epokën digjitale është e nevojshme që bizneseve t’iu ofrohen informata për t’iu mundësuar hyrje në treg. “Jemi në epokën digjitale dhe kemi vënë iniciativën për fuqizim digjital që bashkon ndërmarrësit dhe konsulentët”.

Ai bëri të ditur se 60 për qind e bizneseve që kanë përkrahur janë të grave. “Ndër partnerët tanë është e Shoqata e Konsulentëve të Kosovës (BCC). Çdo projekt e ka një qëllim afatgjatë dhe ta luftojë varfërinë përmes krijimit të vendeve të reja të punës”.

Pjesëmarrës tjerë në këtë ngjarje përmbyllëse ishin dhe bashkëpunëtorët dhe përkrahësit e programit ACCESS, përfshirë përfaqësueses të sektorit publik dhe privat, ndërmarrës, por edhe ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Getoar Mjeku, tha se projekti ka mbërritur pritshmëritë dhe ka lënë një histori të punës së mirë që ka elemente të qëndrueshmërisë.

“Digjitalizimi është i rëndësishëm dhe është pikë ndërthurëse që na bashkon të gjitha ministritë”.

“Në programin tonë digjitalizimi zë vend të rëndësishëm dhe ndërthurë të gjithë sektorët si atë publik dhe privat. Ne në agjendë kemi disa projektligje të rëndësishme që digjitalizimin e kanë për qëllim, për proceset e qëndrueshme të zhvillimit të vendit”, shtoi ai.  

Ai bëri të ditue se kjo iniciativë për fuqizim digjital përmes programit ka mbështetur 62 biznese. “ACCESS do ta ketë qëndrueshmërinë në Kosovë dhe ky projekt që është lansuar në mandatin tonë ka filluar të japë rezultate të veta”.

“Digjitalizimi zë vend të rëndësishëm dhe prek shumë sektorë. Digjitalizimi bën pjesë edhe në komuna dhe në agjendën tonë kemi projektligje të rëndësishme po hartohen që digjitalizimin ta kenë si objektiv kryesor”, tha Mjeku.

Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger, tha se ekonomia digjitale do të rritet e zhvillohet në Kosovë, me ç’rast përmendi një numër projektesh në fushën e bujqësisë, arsimit ekonomisë në mes dy vendeve.

“Është kënaqësi të shoh angazhimin në Kosovë në këtë projekt. Projekti ACCESS ka kontribuar në rritjen e qasjeve në biznese. Ka përmirësuar transformimin digjital të subjekteve të targetuara”.

“Republika e Kosovës shikon drejt një të ardhmeje me rritje dhe përfshirje më të madhe ekonomike. Republika e Austrisë do të vazhdojë të bëjë hapa të rëndësishëm, jo vetëm në promovimin e transformimit digjital të sektorit publik dhe privat të Kosovës, por edhe në përmirësimin e infrastrukturës së saj digjitale dhe fizike”, tha ambasadori Weidinger.

Ai tha se ka takuar shumë ndërmarrës që janë start-upe. “Besojmë që intervenimet e projektit ACCES të jenë në gjendje të mbështesin sektorin privat. Transformimi digjital ka ndikuar tek aktivitet ekonomike dhe ka bërë ndërmarrësin më gjithëpërfshirëse”, theksoi Weidinger.

Leonita Shabani, sekretarja e Përgjithshme në Ministrinë e Ekonomisë, tha se digjitalizimi dhe transformimi digjital kanë rëndësi kyç për tejkalimin e barrierave.

Ajo theksoi se transformimi digjital përfshin shumë më shumë se integrimin e teknologjive digjitale. “Dhe pikërisht aktivitetet e projektit ACCESS kanë ndihmuar në transformimin e mënyrës së të menduarit tek ne, në atë mënyrë që të konsiderojmë përdorimin e mjeteve dhe shkathtësive digjitale si mundësi dhe vlerë të shtuar në krijimin e përparësive krahasuese për ekonominë tonë”.

“Projektet si ACCESS kanë kontribut të rëndësishëm në transformimin shoqëror. Në kuadër të ACCESS-it janë ofruar disa aktivitete në hartimin e legjislacionit dhe është draftuar Ligji për sigurimin e rrjetave”.

“Qeveria i është shumë mirënjohëse Qeverisë së Austrisë për mbështetjen sa i përket transformimit digjital dhe qeveria mbetet e përkushtuar për të ardhmen digjitale”, tha ajo.

Deputeti i Parlamentit të Austrisë, Martin Engelberg, tha se shteti i tij po përpiqet që ta ndihmojë Kosovën që t’i bashkohet Bashkimit Evropian.

“Mendoj që Austria është një prej miqve më të mirë të Kosovës dhe përpiqemi ta ndihmojmë Kosovën që t’i bashkohet BE-së dhe të shndërrohet në botën e integruar perëndimore sepse e meriton Kosova”.

“Kur flasim për të rinjtë projekti ACCESS është shembull i përkryer se si e mbështesim transformimin digjital në Kosovë. Ka shumë kompani që janë duke kërkuar specialist të TIK. Vendi juaj është i mrekullueshëm”, u shpreh Engelberg, i cili është përgjegjës për Bashkëpunimin Zhvillimor Austriak.

Disa nga rezultatet e programit ACCESS janë:

  • E-IDAS

10 akte nënligjore të hartuara në bashkëpunim me Universitetin e Danubit Krems (DUK) për Ministrinë e Ekonomisë. Ligji e-IDAS hyri në fuqi në 2021.

  • NIS

Direktiva e BE-së për Sigurinë e Rrjetit dhe Informacionit (NIS), duke përfshirë pesë akte nënligjore, të transpozuara në bashkëpunim me DUK dhe të dorëzuara në Ministrinë e Ekonomisë.

  • Posta e Kosovës

Studimi i Fizibilitetit për Informatizimin e Postës së Kosovës është përfunduar në bashkëpunim me TU Graz për Ministrinë e Ekonomisë.

U krijua platforma digjitale “Biznesi Im”- e para dhe e vetmja e cila ju mundëson bizneseve të Kosovës të kenë qasje në një larmi veglash dhe shërbimesh digjitale, e lansuar nga MINT dhe KIESA. 13 vegla dhe shërbime të reja digjitale për NVM-të, duke përfshirë një plan biznesi dhe plan financiar online. Veglat dhe shërbimet digjitale janë shfrytëzuar deri më tani nga 5,148 ndërmarrës.

  • Iniciativa për Fuqizimin Digjital (IFD)

Iniciativa për Fuqizimin Digjital (IFD) u krijua në emër të MINT/KIESA dhe ofron shërbime të subvencionuara të digjitalizimit për NVM-të. 62 kompani (61% e tyre në pronësi të grave dhe 21 % aktive në ekonominë e gjelbër) u mbështeten përmes IFD në transformimin e tyre digjital.

  • Direktoriumi i Eksportuesve të Kosovës (DEK), Lidhjet e Tregut dhe Qendra e Eksportit

Direktoriumi i Eksportit të Kosovës është plotësuar dhe përditësuar me profilet e 50 kompanive të reja të TIK-ut. Këto profile reklamohen përmes marketingut digjital në Gjermani, Austri, Zvicër dhe në të gjithë BE-në. Mbi 1,400 kompani të TIK në Gjermani, Austri, Zvicër janë kontaktuar deri më tani për bashkëpunim.

Forumi B2B me 30 kompani austriake dhe kosovare të TIK u zhvillua në nëntor 2021 në Vjenë. Morën pjesë 15 kompani të TIK nga Kosova dhe 26 lidhje tregu janë krijuar përmes Export Hub.

  • Këshilli i Konsulentëve të Biznesit (BCC)

BCC është akredituar ndërkombëtarisht për të ofruar trajnime dhe certifikim në tre fusha të digjitalizimit. Pas organizatës së saj simotër austriake, BCC është institucioni i dytë i akredituar në mbarë botën që ofron këto certifikime. 35 konsulentë deri më tani janë certifikuar ndërkombëtarisht në tre fusha të digjitalizimit (48% e tyre janë gra).

  • Krijimi i Vendeve të Punës

Deri në mars të këtij viti 388 vende pune janë krijuar/ruajtur si rezultat i ndërhyrjeve të programit ACCESS.

LEXO EDHE:

Të ngjashme