Pikë e përbashkët doganore Kosovë – Shqipëri

Prishtinë | 26 Shk 2018 | 15:16 | Nga

Nga muaji mars, Kosova dhe Shqipëria do të fillojnë me zbatimin e marrëveshjes për doganat. Nga marsi, pika doganore kufitare Morinë – Vërmicë që lidh Kosovën me Shqipërinë do të ketë vetëm një dritare për kontroll.

Lulzim Rafuna, këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë për dogana dhe tatime në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka bërë të ditur se projekti për modernizmin e pikës kufitare Morinë – Vërmicë është në përfundim e sipër.

“Kufiri ka qenë i paraparë të përurohet në muajin janar, por për shkak të disa punëve shtesë dhe kërkesave të zyrës së Bashkimit Evropian në Tiranë që ka financuar përmes projektit IPA, po ashtu jemi pajtuar që të bëhen disa punime shtese në muajin janar, shkurt duke përfshirë edhe një pjesë të marsit kur fluksi i mallrave është më i ulët”.

“Ky do të jetë një kufi shumë modern, do të jetë një kufi që do të ketë një dritare të vetme për kontroll, si të Doganës në Kosovë, si të Doganës së Shqipërisë. Një kufi i cili do të eliminojë pritjet e qytetarëve tanë dhe do të eliminojë radhët e gjata të mallrave për të hyrë në Kosovë apo në Shqipëri”, thotë Rafuna.

Ai bën të ditur se kjo pikë doganore do të jetë shumë më e avancuar, nëse, siç thotë Rafuna, krahasohet me punën që bëhet tani në atë pikë kufitare.

Qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë, shton Rafuna, janë duke punuar në harmonizimin e tregjeve dhe eliminimin e procedurave burokratike dhe dokumentacionet e panevojshme që iu kërkohen bizneseve në Kosovë dhe anasjelltas.

“Këtu do të ketë një harmonizim të plotë, do të jetë një plan shumë mirë i përgatitur dhe aprovuar. Këtu kërkojë nga komuniteti i biznesit që të jenë më agresiv në kërkesat e tyre të shtruara pranë dy qeverive, që të kërkojnë sa më shumë lehtësira për ta”, thotë ai.

Për të pasur një bashkëpunim më të lehtë ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ishin investuar miliarda euro në infrastrukturë rrugore.

Përveç kësaj, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë nënshkruar disa marrëveshje për bashkëpunim ekonomik, por edhe në fusha tjera.

Po ashtu, ishte nënshkruar edhe marrëveshja për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve.

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë thonë se mbështesin modernizmin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, por që sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu këto projekte të mos mbeten, siç thotë ai ‘marketing politik, por të punohet në drejtim të bashkëpunimit të mirëfilltë ekonomik.

“Ne si Odë Ekonomike e mbështesim çdo hap që eliminon barriera, çdo hap që promovon vlera dhe çdo hap që ndikon në një ekonomi moderne të bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë, por duhet të kuptohet që këto probleme nuk zgjidhen me një marketing të politizuar ose me një politizim që shprehet më shumë përmes një kampanje mediale. Neve na duhet një substancë dhe prioritet duhet ta kemi bashkëpunim ekonomik”, thotë Gërxhaliu për Radion Evropa e Lirë.

Gërxhaliu thotë se ka humbur besimi reciprok mes Kosovës dhe Shqipërisë për bashkëpunim ekonomik. Në Shqipëri, shton Gërxhaliu, biznesi funksionon bazuar në grupe të interesit dhe është mjaft i politizuar.

“Nuk mund të ketë aktivitet të përbashkët qoftë për doganat, qoftë për kalim kufitar ,në qoftë se edhe me tutje do të kemi monopole. Nëse sot shkohet në portin e Durrësit kemi bllokadë jo nga institucionet, por nga kompani të lidhur me politikën dhe ata e pamundësojnë avancimin në këtë drejtim se iu konvenon kjo mjegull dhe kjo formë e privatizimit”, thotë Gërxhaliu.

Bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, është i përqendruar kryesisht në shkëmbimin e mallrave. Megjithatë, vlerësohet se këto dy shtete gjatë shkëmbimeve tregtare, vazhdojnë të hasin në vështirësi dhe konsiderohet se nuk kanë arritur të kenë marrëdhënie tregtare në nivel të kënaqshëm.

Të dhënat zyrtare tregojnë se vlera e importit e produkteve të cilat importohen nga Shqipëria në vit kapin vlerën e mbi 99 milionë, derisa vlera e produkteve të Kosovës që eksportohen në Shqipëri janë vetëm 15 milionë euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme