Politika pengesë e zhvillimit ekonomik edhe 11 vjet pas Pavarësisë

Prishtinë | 18 Shk 2019 | 08:46 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Temat e mëdha politike viteve të fundit kanë qenë ndër shkaqet kryesore që ekonomia e vendit nuk ka qenë në nivelin e duhur. Kështu thonë njohës të ekonomisë kur flasin për zhvillimin ekonomik përgjatë 11 viteve pas shpalljes së Pavarësisë.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë për Ekonomia Online, se mosstabiliteti politik në vend, ka ndikuar që investitorët e huaj të mos e shohin Kosovën si vend ideal për investime strategjike.

“Ne vazhdimisht kemi shënuar progres në mjedisin e të bërit biznes gjë që është reflektuar edhe në disa raporte të Bankës Botërore që mat lehtësinë e të bërit biznes sidomos në 5-6 vjetët e fundit”.

“Është pak paradoksale kur pikërisht në vitet kur ne kemi mundur edhe ta pasurojmë ofertën edhe të marrim vendimin në mënyrë shumë më të pavarur edhe të paraqitemi para investitorëve me një pako shumë më tërheqës ne realisht kemi dështuar në këtë aspekt edhe ajo çfarë është për fatkeqësi është që realisht shifrat në këtë aspekt vetëm sa po shënjojnë përkeqësim”.

“Tash faktorët që kanë mundur të ndikojnë në këtë aspekt janë të ndryshëm, para dhe natyrisht e pashmangshëm duhet përmendur rrethanat politike vendi ende nuk ka arritur që të ndërtojë subjektivitetin e tij ndërkombëtar ende flitet për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë gjë që pashmangshëm ndikon edhe në perceptimin e vendit në sytë e investitorëve edhe amerikan edhe investitorëve tjerë të huaj”.

“Nuk është vetëm stabiliteti politik edhe raportet tona me fqinjë që pengojnë investimet e huaj direkt,  kohë pas kohe kemi pas edhe kriza të brendshme politike edhe imazhi jo fortë të mirë të cilat nga vendi janë transmetuar jashtë e që padyshim janë analizuar edhe nga ata që kanë qenë investitorë potencial edhe që kanë pas njëfarë interesimi që të vijnë edhe të investojnë në Kosovë”, tha ai.

Zeka tutje ka shtuar se faktorët në të cilët mbështetet ekonomia e vendit nuk janë të qëndrueshme prandaj, sipas tij, është esenciale që të krijohet ambient i mirë për investime të huaja strategjike.

“Normat e zhvillimit ekonomik të cilat e kanë karakterizuar Kosovën për gjatë këtyre viteve të fundit të ekzistencës së tij si shtet i pavarur natyrisht që janë pozitive. Por, në asnjë moment nuk duhet të na japin ndjenjën  e vetknaqesisë, për shkak se po qëndrojmë më mirë  se vendet e tjera të rajonit,  por, nëse analizojmë burimin e zhvillimit ekonomik, atëherë e shohim se janë kryesisht rezultat i investimeve kapitale, nga shpenzimet e bëra nga buxheti i vendit, pra janë shpenzime për investime publike edhe burimi tjetër i rëndësishëm është poashtu dërgesat nga ana e diasporës gjë që në asnjë moment nuk garantojnë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit”.

“Indikatorët kyç të punësimit janë përkeqësuar në fund të vitit 2018 dhe nëse vazhdojmë me këtë ritëm të mostërheqjes së investimeve të huaja direkt. Natyrisht që këto shifra ose këta indikatorë të punësimit nuk do të shënojnë ndonjë përmirësim. Pozitive ose optimizëm mund të na jap shtyrja përpara e projektit të ndërtimit të termocentralit ‘Kosova e Re’”.

“E para për shkak të vlerës së investimeve, gjë që do të ishte investimi më i madh në historinë e vendit që do tejkalonte shumën prej 1 miliard euro, e natyrisht kjo do të kishte efekte multiplikative në ekonomin e vendit dhe do të ishte një burim i madh i vendeve të punës në vendin tonë”, tha ai.

Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, fokusin në agjendën politike e ka quajtur fajtor për ngecjen e ekonomisë në vend,

Ai për Ekonomia Online, është shprehur pesimist që temat politike do të mundësojnë që ky vit të jetë i fokusuar në ekonomi ashtu siç është premtuar nga Qeveria e vendit.

“Ne po e shohim agjendën, po i shohim lajmet, po e shohim çka prodhon Kosovë , e shohim që ka shumë politike d.m.th që është normale sepse në fund të fundit institucionet janë politike, por fokusi për shkak të temave të pambyllura dhe për shkak të krizës së vazhdueshme të brendshme politike zbeh vullnetin që ky vit të jetë vit i ekonomisë”

“Mund të them që ekonomia ka qenë  e lënë pas dorës, nëse mund të shprehem thjeshtë, kur e them këtë bazohem në faktin që ne nuk kemi një fokus të drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik, kemi veprime që mund të duken të favorshme por në anën tjetër nëse  e shikon në raport me zhvillimin në vendet tjera sidomos sa i përket rritjes së investimeve të huaja, sa i përket rritjes së punësimit dhe sa i përket eksportit ne kemi ngec shumë mbrapa”, tha ai.

Rukiqi është shprehur pesimist që do të ndryshoj gjendja me tërheqje të investitorëve të huaj nëse vazhdohet me këtë agjendë politike.

“Kjo pjesa e investimeve ka mbet si një ndër vrimat e zeza ne ekonominë e vendit ne kemi pas pritje që viti 2008 apo shpallja e pavarësisë do ti eliminoj arsyet për mostërheqje të investimeve. Shpesh herë është diskutuar që mosdfefinimi i statusit politik ndikon te siguria e investitorëve për me investu edhe pritjet kanë qenë që 2008 do ta ndryshoj këtë trend megjithatë agjenda e stërngakurar politike që po vazhdon edhe sot, ka kriju një paparashikueshmeri dhe pasiguri të madhe juridike dhe politke për investitorët dhe nëse kjo nuk ndryshon nuk mund të presim ndryshime”.

“Rreziku politik në Kosovë në vend që të shkoj drejt rënies, në tri katër vitet e fundit ka shku edhe është ngrit në shkallë që është shumë shqetësuese për investitorë të huaj”, tha ai.

Përndryshe, investimet e huaja përgjatë 11 viteve kanë rënë. Sipas një raporti të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në vitin 2007 investimet e huaja të drejtpërdrejta në vend kanë qenë 421 milionë euro, në 2008-ën kur është shpallur pavarësia, investimet kanë qenë 355 milionë euro, ndërsa në vitin 2018 këto investime kanë arritur prej vetëm 76 milionë euro.

Të ngjashme