Posta e Kosovës emeton pullë postare me imazhin e Fadil Vokrrit

Prishtinë | 08 Tet 2018 | 14:30 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në kuadër të tematikës “Legjenda e futbollit – Fadil Vokrri”, Posta e Kosovës ka emetuar sot një pullë postare me imazhin e legjendës së futbollit kosovar Fadil Vokrri.

Me këtë rast, Kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha me bashkëpunëtorë të tij në ambientet e Hotelit Emerald në Prishtinë, organizoi promovimin e pullës postare, me ç’rast priti Kryesinë e Federatës së Futbollit të Kosovës, anëtarë të familjes Vokrri dhe mysafirë sportdashës të tjerë. Ai iu dhuroi në pllakë bronzi pullat e para familjes dhe përfaqësueseve të FFK.

Kryeshefi Hoxha deklaroi se është krenari për Postën e Kosovës dhe të gjithë punonjësit e saj, që përmes emetimit të kësaj pulle postare ne do t’i bëjmë nderë Ndërmarrjes tonë, sportistet dhe ngjarjet më të rëndësishme sportive, në veçanti futbollin, e këtë do ta bëjë edhe në të ardhmen duke e ditur që sporti ka rol të pazëvendësueshëm në promovimin e shtetit dhe popullit tonë.

Fadil Vokrri u lind më 23 korrik të vitit 1960 në Podujevë. Me futboll nisi të merret si 15-vjeçar, kurse si 17-vjeçar debutoi në KF “Llapi” në Podujevë. Më pas, në vitin 1980 kaloi tek KF “Prishtina”, ku luajti 84 ndeshje dhe shënoi 33 gola për këtë skuadër në Ligën e Dytë, kurse në Ligën e Parë të Jugosllavisë pati 88 paraqitje me fanellën e Prishtinës dhe realizoi 22 gola.

Periudha e viteve të 80-ta ishte e artë për Vokrrin, i cili në vitin 1984 debutoi në ekipin përfaqësues të Jugosllavisë, duke u bërë futbollisti i vetëm shqiptar që u paraqit në Përfaqësuese, e ku regjistroi 12 paraqitje dhe shënoi 6 gola. Në vitin 1986, u transferua te “Partizani” i Beogradit, ku në 27 ndeshje shënoi 13 gola.

Ai me meritë e fitoi epitetin e “Legjendës” së futbollit kosovar, pasi ishte bartës i flamurit olimpik në Lojërat Olimpike Dimërore në Sarajevë në vitin 1984, derisa në vitin 1987 ishte shpallur lojtari më i mirë në Jugosllavi.

Pas luftës në Kosovë, Fadil Vokrri punoi pareshtur për anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe me pas në FIFA, që ishin ndër të arriturat më të mëdha të shtetit tonë. Për këto arritje historike, Posta e Kosovës në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës, në vitin 2016 ka emetuar një pullë të jashtëzakonshme postare.

Emri i legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri, ashtu siç u përjetësua në stadiumin e Prishtinës, nga sot e mot do të përjetësohet edhe në pullë postare. Imazhi i tij i ndritur do të udhëtojë në tërë botën përmes dërgesave tona postare dhe do ta promovoi atdheun e tij, Republikën e Kosovës.

Të ngjashme