Posta kërkon të bëjë shpërndarjen e faturave për RTK-në

Prishtinë | 11 Pri 2019 | 15:24 | Nga Ekonomia Online

Menaxhmenti i Postës së Kosovës i kërkon deputetëve të Republikës së Kosovës që të përcaktojë me Ligj të Ri të RTK-së, shpërndarjen e faturave të pagesave për këtë medium tek qytetarët parapagues përmes Postës së Kosovës.

Në bazë të draft-ligjit për RTK-në që është duke u shqyrtuar aktualisht në Kuvend, shpërndarjen e faturave të tyre për qytetarët parapagues parashihet ta bëjë KEDS-i, që është në kundërshtim me Ligjin për Shërbimin Postar Nr.06/L-038.

KEDS-i si operator privat po vepron kundërligjshëm duke shpërndarë fatura të pazarfuara për vite të tëra tek qytetarët, duke shkelur mbi të drejtën e privatësisë për mbrojtjen e të dhënave personale. Për këto shkelje është dënuar nga Gjykata dhe Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Posta e Kosovës nga këto veprime të paligjshme të KEDS-it është duke u dëmtuar me miliona euro në vit, për çka iu ka dërguar disa herë me shkresa, kërkesa dhe ankesa: MZHE-së, ARKEP-it, Agjencionit për Mbrojtjen e të dhënave personale, Avokatit të Popullit, por që kemi hasur në vesh të shurdhër.

Alarmojmë opinionin publik dhe deputetët e Republikës së Kosovës!

Miratimi i kësaj dispozite të draft-ligjit për RTK-në në këtë formë duke e eliminuar Postën e Kosovës si operator i vetëm i licencuar për shërbim postar, shkatërron edhe më tutje Postën e Kosovës, ndërsa favorizon në ekstrem profitin e paligjshëm të kompanisë private KEDS.

Posta e Kosovës,  ka kapacitete të kryej këtë shërbim postar me përgjegjësi të lartë dhe me çmime më të lira se çdo operator tjetër.

Ju bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që mos të lejojnë miratimin e kësaj dispozite ligjore që favorizon operatorin privat të pa licencuar për shërbim postar, thuhet në komunikatën për media.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme