Postimet e Muratit ndër vite: I dëshpëruar që dështoi puçi i vitit 2016 për ta rrëzuar nga pushteti Erdoganin

Prishtinë | 30 Qer 2022 | 12:51 | Nga Ekonomia Online

Para se t’i hynte politikës, duket se ministri aktual i Financave, Hekuran Murati, kishte kohë të merrej me tema të ndryshme. Duke nisur fillimisht nga deklaratat skandaloze dhe krahasimet e veteranëve të UÇK-së me mercenarë, e deri te zhvillimet globale. Në mesin e tyre edhe puçi që kishte ndodhur në Turqi, me synimin për ta rrëzuar nga pushteti presidentin Rexhep Tajip Erdogan.

Nëse hyni në arkivat e rrjeteve sociale të ministrit Hekuran Murati, sigurisht do të habiteni. Postime ku veteranët e UÇK-së krahasohen me mercenarë, shkaktuan debat të ashpër mbrëmë. Megjithatë, kjo nuk ishte tema e vetme ku Murati nuk kishte hezituar të japë komente.

Ai kishte shkruar pak edhe për puçin në Turqi që kishte ndodhur në vitin 2016, ndaj presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan.

Në një postim të asaj kohe, ministri i Kurtit tash, shprehej i dëshpëruar që kishte dështuar tentativa për ta rrëzuar nga pushteti Erdoganin. Madje, Murati kishte konstatuar se gjithë kjo kishte ndodhur për t’i burgosur kundërshtarët e Erdoganit.

“I zhgenjym qe deshtoi puci, por me gjase gjithcka e inskenuar. Taksirati i qatyne 3mije ushtarve te ri qe i kan qu ne goje te ujkut vec pse po i duhet sulltanit me gjete pretekst me burgose kundershtare politik edhe me ndryshu kushtetuten”, shkruhej në postimin e Muratit për puçin në Turqi.

Ky ishte vetëm në mesin e postimeve, që nxiti tejet shumë kritika ndaj Muratit.

Krahasimi i veteranëve të UÇK-së me mercenarë

Duke shkruar për pagesat e veteranëve, ai kishte theksuar se më mirë se veteranët, do të duhej që gjatë luftës të rekrutoheshin mercenarë.

Ata, sipas minsitrit të Albin Kurtit, do t’i kushtonin më lirë Kosovës. Për më shumë, Murati theksonte se mercenarëve nuk do të duhej t’u falënderoheshin.

“Tre muaj nga dy mijë euro bëjnë gjashtë mijë euro për kokë – 20 mijë mercenarë të përgatitun ushtarakisht kishin me na kushtu veç 120 milionë euro gjithsej. Edhe as faleminderit s’kish pasë nevojë me u thanë”, shkruante atëherë Murati.

Madje, Murati “preokupohej” edhe me pagesat për veteranët.

“Këta tre muaj luftë të një ushtrie guerile dojnë me na dalë shumë ma shtrenjtë se një ushtri e rregullt”, shkruante Murati në vitin 2016.

Një deklaratë e tillë ka ngjallur reagime të shumta të analistëve e qytetarëve.

Në një postim të vitit 2016, ai ka shkruar se NATO i vrau 1200 ushtarë serbë, gjersa UÇK vetëm 300, duke pyetur se për kë luftuan 46 mijë veteranët e tjerë?

Kujtojmë që ditë më parë, një tjetër status i Muratit, kësaj radhe i vitit 2018, i ishte bërë viral. Në të shkruhej për çmimin e lartë të naftës.

Atëbotë, analisti Murati kishte denoncuar çmimin prej 1 euro 20 centë të naftës për litër që shitej në pompat e Kosovës. E tash kur çmimi i naftës ka shkuar 1 euro e 90 centë, ministri Murati nuk ka kritikuar fare Qeverinë, ku ai shërben si ministër i Financave.

Por, me të kanë filluar të tallen kosovarët.

“Veç thashë t’ju tregoj që nafta në Kosovë (përfshi akcizën dhe tatimet) po hyn në 0.90-0.95 euro/litër, ndërsa çmimi i shitjes me pakicë assesi të bie nën 1,20 euro/litër”, kishte shkruar Murati vite më parë.

Të ngjashme