Presidenti i Wizz Air paralajmëron të shtojnë numrin e aeroplanëve dhe destinacionet nga Kosova

Prishtinë | 25 Mar 2022 | 09:03 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Wizz Air, linja më e madhe ajrore me kosto të ulët në Evropën Qendrore dhe Lindore, paralajmëron se do të shtojë numrin e aeroplanëve dhe të destinacioneve nga Aeroporti i Prishtinës.

Presidenti i Wizz Air, Robert Carey, i cili foli për Ekonomia Online në përfundim të një vizite pune në Kosovë dhe rajon, tregoi se planifikojnë vendosjen e një baze në Kosovë dhe se synojnë të jenë kompania më e madhe në Kosovë.

“Do të kemi më shumë se 600 000 udhëtarë në vitin e ardhshëm, gjë që na bën agjencinë më të madhe transportuese këtu. Do të kemi linja me Zvicrën, Gjermaninë, Austrinë. Është shumë e rëndësishme për ne që udhëtarët e Kosovës, por edhe ata jashtë saj, të fluturojnë me WizzAir kur kanë nevojë”, tha Carey.

Ai bëri të ditur se në Prishtinë është takuar me zëvendëskryeministrin Besnik Bislmi, me ministrin e Financave, Hekuran Murati; ministren e Ekonomisë, Rozeta Hajdari; ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu; drejtorin gjeneral të Autoritetit të Aviacionit Civil, Bujar Ejupi dhe drejtorin gjeneral të Aeroportit të Prishtinës, Gokmen Aritay. “Pra me të gjithë lojtarët kyç”.

“Kemi diskutuar për ndikimin ekonomik dhe përfitimet që do sjellim ne si agjenci transportuese por edhe për mënyrat se si mund të rritemi në tregun e Kosovës në të ardhmen”.

“Si një prej agjencive transportuese më të mëdha në rajon, kemi vizituar edhe qytete tjera, si Shkupin e Tiranën. Në Kosovë kemi ardhur për t’u takuar për së afërmi me personat përgjegjës të Qeverisë dhe t’ju tregojmë nga afër angazhimin dhe ngazëllimin që e kemi për tregun e Prishtinës dhe Kosovës”, tha Carey.

Presidenti i kompanisë me bazë në Budapest të Hungarisë tregoi se pas pandemisë kanë dyfishuar shërbimet, dhe këtë verë do të operojnë me 166 aeroplanë.

Carey theksoi se planifikojnë të rrisin edhe numrin e destinacioneve dhe vendosjen e një baze në Kosovë.

“Jam shumë i ngazëllyer që jam kthyer përsëri në Kosovë. Ne erdhëm këtu me shumë qejf dhe dëshirë. Ne kemi dyfishuar shërbimin që nga pandemia. Ju mund të shihni se para pandemisë kanë operuar 120 aeroplan. Këtë verë ne do të operojmë me 166 avionë. Kemi edhe shumë kompani, siç janë nga Italia, Abu Dabi dhe këtu afër në Tiranë. Ne kemi operuar këtu për disa vite. Është një treg që ne mundohemi të ofrojmë shërbim shumë të mirë dhe duam që ta rrisim këtë treg së bashku me aeroportin dhe Qeverinë. Ne duam të rrisim edhe numrin e destinacioneve dhe shpresojmë që do ta kemi edhe bazën këtu në Kosovë”, tha ai.

Presidenti i Wiz Air, Robert Carey, tha se Prishtinën e konsiderojnë si një treg shumë të rëndësishëm.

“Jemi duke operuar në Prishtinë që disa vite, mundohemi që të ofrojmë shërbime sa më të mira, lokacione të reja dhe të rritemi vazhdimisht, në bashkëpunim me Aeroportin e Prishtinës dhe Qeverinë”.

“Pjesë e punës tonë është që të shtojmë sa më shumë destinacione të reja me një shërbim sa më të mirë. Shpresojmë që në të ardhmen edhe ta ndërtojmë edhe një bazë këtu”, thekson presidenti i Wizz Air.

Të ngjashme