Prestreshi: Komentimet për rastin “nafta” mund të cilësohen si ndërhyrje

Prishtinë | 11 Maj 2020 | 20:02 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka thënë se vendimi i fundit i AKK-së për rastin, siç e ka quajtur ai, “nafta”, është përfundimtar.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka kërkuar që të gjithë të përmbahen nga opinionet publike të pamatura dhe t’ju binden vendimeve të një institucioni të pavarur të Kuvendit.

Prestreshi tutje ka shtuar se interferimet dhe komentimet e të tjerëve rreth vendimit të AKK-së mund të cilësohen si ndërhyrje dhe presion ndaj institucioneve të pavarura.

“Meqë ndërmarrjet kanë paralajmëruar padi në konflikt administrative pranë gjykatave kompetente, rasti do të bëhet me interesant dhe më i ndishëm. Andaj interferimet dhe komentimet e të tjerëve rreth vendimit të AKK-së mund të cilësohen si ndërhyrje dhe presion ndaj institucioneve gjyqësore dhe atyre të pavarura”, ka shkruar ai.

Sipas tij, në Kosovë për herë të parë, me seriozitetin më të lartë do të trajtohet një rast i konkurrencës të nivelit të Komisionit Evropian, pranë gjykatave vendore.

“Këtë vendim Autoriteti Kosovar i Konkurrencës do ta mbrojë me profesionalizimin më të lartë pranë gjykatës në bashkëpunim edhe me projektin e financiar nga BE-ja. Është rast i madh por edhe i rëndësishëm në ngritjen dhe avancimin e subjektivitetit të shtetit tonë karshi Komisionit Evropian. Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, gradualisht është duke u rreshtuar me nivelin e Bundeskartellamt te Gjermanisë, AZTN-së së Kroacisë dhe Autoritetit Federal të Konkurrencës së Austrisë dhe të tjerë”, ka shkruar Presrteshi..

Të ngjashme