Pritet që 34 komuna të Kosovës të hapin zyrë për mbrojtjen e konsumatorit

Prishtinë | 13 Nën 2018 | 13:01 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit ka mbajtur konferencë për media me temën “Të gjithë bashkë kundër dëmeve që vijnë nga Serbia”, në të cilën Seladin Kaçaniku, nga organizata “Konsumatori”, ka thënë se kërkojnë nga qeveria të nënshkruajë marrëveshje tregtare me shtete të tjera, pasi sipas tij, vendime janë dhënë edhe viteve të kaluara por ato janë shkelur apo anuluar.

“Jemi të vetëdijshëm, po e shohim çka po ndodh në treg dhe po e shohim që Serbia stimulon që mallrat me dokumentacion të falsifikuar vijnë në Kosovë”.

“Si zëvendësim të vendimeve, po kërkojmë që Republika e Kosovës siç ka nisë negociatat me Shqipërinë të nënshkruajë marrëveshje bilaterale me të gjitha vendet e tjera për marrëveshje tregtare”.

Sherif Fejzullahu, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit, ka thënë se masat për mbrojtjen e konsumatorit po shtohen, ashtu si edhe ngritja e vetëdijes së konsumatorit tek institucionet, raporton Ekonomia Online.

Ndërsa ka thënë se deri më tani ka tri zyra për mbrojtjen e konsumatorit, në Ferizaj, Gjilan dhe Viti, ndërsa ka thënë se presin që javën tjetër të hapë një zyrë edhe Komuna e Suharekës.

“Bashkë me ministrin e MTI-së, asgjësuam diku mbi 17 mijë lodra me kimikale të dëmshme për fëmijë dhe përveç këtyre lodrave ishin edhe kontigjente tjera që u bllokuan në kufi. Ky ishte gjest i gëzuar edhe për nënat, edhe për fëmijët”.

“Një vendim tjetër i ministrit që ndalon duhanin dhe alkoolin për të mitur, që është në dobi të shëndetit të fëmijëve dhe të miturve. Gjithashtu u mor vendim dhe u përkrah nga qeveria, që mallrat që hyjnë nga Serbia të paguajnë taksë hyrëse për të mbrojtur prodhimin vendor dhe ekonominë nacionale të Kosovës. Pas këtij vendimi, kryeinspektori nga MTI, Lulzim Syla, me inspektorë të tjerë dolën në terren dhe inspektuan direkt shitoret që mund të mbajnë këtë mall dhe kërkoi përgjegjësi”.

Fejzullahu tha se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka marrë vendim që të shtohet numri i inspektorëve.

“Ministri ka marrë vendim që numri i inspektorëve të shtohet dhe ata duhet të stimulohen dhe të kenë pajisje teknike për të përcjellë gjendjen në terren”.

Fejzullahu bëri të ditur se në gjashtëmujorin e dytë është shtuar numri i thirrjeve nga konsumatori në denoncimin e rasteve të ndryshme.

“Vendimi tjetër është masat ndëshkuese për ata që nuk respektojnë vendin për pirje të duhanit në vende publike. Këto i parandalojnë ata që e thejnë këtë ligj. Nga departamenti për mbrojtje të konsumatorit kemi informata se në gjashtëmujorin e dytë është shtuar numri i thirrjeve nga konsumatori në denoncimin e rasteve të këqija”.

Sipas Fejzullahut, pritet që 34 komuna të hapin zyra për mbrojtje të konsumatorit.

“Këshilli deri më tani ka fillu të hapë zyra nëpër të gjitha komunat për mbrojtjen e konsumatorit. Deri më tani zyrë zyrtare ka hapë Ferizaj, Gjilani, Vitia, Suhareka javën tjetër. Presim që 34 komuna të hapin zyra për mbrojtje të konsumatorit”.

Ai tha që përqindja ndaj mallrave serbe duhet të rritet ose të hiqet fare pasi, sipas tij, ato e dëmtojnë ekonominë e vendit, raporton EO.

“Nuk mund të heshtim, sepse paratë që shteti ynë i humb dhe po e dëmtojnë ekonominë tonë dhe po humb miliona, që na mundësojnë investime, ne na dëmtohet ekonomia, na bllokohet dhe nuk kemi mundësi që këto para dhe qeveria nga Serbia fiton miliona, por ne na pengohet të jemi më stabilë në ekonomi”.

Drejtoresha e Aleancës së Bizneseve, Lumnije Hajdini, anëtare e këshillit, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që 10% e taksës ndaj mallrave të Serbisë, ta investojnë në prodhime vendore dhe agjencionin e veterinarisë.

“AKB ka bërë propozime për qeverinë që të kemi më shumë hapësirë sa u përket masave mbrojtëse. Sa i përket produkteve, importit nga Serbia, në vazhdimësi kemi bërë thirrje që të konsumohen produktet vendore. E kemi në zbatim marrëveshjen e asociimit, ku do të kenë mundësi të importojnë mallra edhe nga vende tjera. Ky vendim për 10%, nga këto mjete të investojë në Agjencionin e Veterinarisë dhe në prodhuesit vendorë”.

Të ngjashme