Prodhimet nga Serbia të dyshimta, ato kosovare të sigurta

Prishtinë | 16 Qer 2019 | 08:14 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Produkte të mishit, të qumështit, janë vetëm disa nga artikujt që gjatë vitit të kaluar ishin ndaluar nga autoritetet për shkak të cilësisë së dyshimtë, raporton EkonomiaOnline.

Cilësia dhe siguria e produkteve, veçanërisht e atyre ushqimore, mishit dhe pijeve duhet të jetë prioriteti kryesor i organeve kompetente.

Kështu po thekson themeluesi i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, i cili  fton qytetarët të kenë shumë kujdes nga produktet me afat të skaduar, nga ato të manipuluara, nga ushqimet e trajtuara me kimikate të ndryshme, etj.

“Të bëjmë kujdes edhe për kujdesin ndaj tyre, për ruajtjen ndaj tyre, sepse jo rrallë ka ndodhë që pasi që kemi marrë, kanë filluar procesin e skadimit për shkak që nuk kemi pas kushte dhe standarde për t’i ruajtur ato. Këtu vjen edhe kushti i çmimit sepse ne me standard të ulët ne gjithmonë detyrohemi të blejmë artikuj të lirë dhe jo artikuj cilësorë, prandaj ky është një rrezik shtesë i cili na obligon të gjithëve që të ndihmojmë njëri-tjetrin që të bëjmë kujdes më shumë”, tha Kaçaniku.

Në marketet tona përveç që ofrohen për shitje mallra të kualitetit të dobët dhe me afat herë pas here të skaduar, jo rrallë herë ka raste edhe të mashtrimit me çmime, ku më së shumti dëmtohet qytetari konsumator.

 Për këtë ekziston edhe Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit, e që Kaçaniku thotë që ky ligj po zbatohet pjesërisht.

“Pretendojmë që është aty diku dhe natyrisht që një përmasë prej më pak se 40 përqind nuk mjafton, prandaj duke qenë të vetëdijshëm se kemi të bëjmë me një shtet të ri dhe me një vetvete ku nuk kemi mjaftë informata sepse ky shtet i ri, këto institucione të reja, nuk kanë kapacitete me na informua dhe edukua, atëherë këtë detyrë të informimit deri tek vetëdijësimi duhet ta kryejmë vetë, duke i ndihmuar njëri tjetrit në këmbimin e informatave”.

Kaçaniku për EkonomiaOnline thotë se këtë vit është vërejtur më shumë përdorimi i produkteve vendore, por edhe ngritja e cilësisë së tyre.

Thotë se nga përdorimi përfitojnë konsumatorët, por edhe ndihmohet zhvillimi i shtetit.

“Është lajm i mirë që çdo ditë po kemi prodhime vendore, lajmi tjetër i mirë është që cilësia po rritet dhe lajmi tjetër është që ne çdo herë e më shumë po konsumojmë prodhime vendore. Prodhimi vendor, hap vende pune dhe rritë fiskalitetin dhe buxhetin e Kosovës dhe ndihmon në zhvillimin e shtetit. Sa më shumë që konsumojmë prodhime vendore ne më shumë ia japim krahun shtetit tonë. Sa i përket cilësisë, cilësia e të gjitha prodhimeve edhe vendore por edhe atyre ndërkombëtare, varet nga niveli i agjencioneve, i mekanizmave tonë, laboratorëve tona dhe aftësisë së tyre për ta detektua cilësinë”.

Produkte të cilësisë së dyshimtë dhe të papërdorshme për konsumim, jo rrallë herë bien edhe në duart e qytetarëve.

 Shefki Muqolli, thotë se nuk duhet të tolerohet ekspozimi i ushqimit në rrugë e sidomos në vende të papastërta.

 Madje ai shprehet se në Kosovë nuk ekziston fare siguria në ushqim.

“Ne jemi të vetëdijshëm të gjithë se këtu asgjë nuk është nën kontrolll, këtu shihet edhe mënyra e ekspozimit të mallit edhe çmimet edhe ofertat, atë ditë që ka oferta këtu nuk ka rregull, prandaj në këto vapa ushqimin e ekspozojnë në trotuar, në pjesë të papastërta të qytetit dhe kjo nuk tolerohet”.

Ndërsa Mexhid Aliu, thotë se institucionet duhet të angazhohen më shumë për ti eliminuar nga tregu produktet pa afat dhe ato me cilësi jo të mirë

“Prodhimet që i kemi në shtëpi janë prodhime që i bëjmë vetë me të familjes dhe jemi të sigurt në ushqim dhe kanë edhe vitamina por edhe rezistencë më të madhe. Cilësia e ushqimit është shumë e dobët. Institucionet duhet të i lëshojnë në teren inspektorët sanitarë mi heqë ato produkte që janë pa afat”.

Njëjtë shprehet edhe Ibrahim Tahiri.

 Ai thotë që qytetarët duhet ta rrisin më tepër vetëdijesimin për përdorimin e produkteve vendore.

Madje ai shprehet që çdo gjë që vjen nga Serbia, është e dyshimtë.

“Unë i iki ushqimeve jashtë ha në vende që janë shumë të sigurt, për shkak qe verës kualitet nuk ka në përgjithësi, sepse lënda e parë që hyn e ushqimeve është e pakontrolluar. Çdo gjë që vjen prej Serbisë, është e dyshimtë. Duhet të bëhen analizat e miellit dhe produkteve të tjera yndyrore për arsye se ka efekte që zgjasin deri në 10 vite. Populli i Kosovës është i rrezikuar prej ushqimeve të lëndës së parë”.

Banka Botërore këtë vit ka ndihmuar Kosovën me 15 milionë dollarë për testimin e produkteve, projekt ky që synon përmirësimin e produktivitetit dhe eksporteve.

Të ngjashme