Prodhuesit e naftës ulin eksportin, rritet çmimi i saj

Prishtinë | 05 Tet 2022 | 18:43 | Nga Ekonomia Online

Disa nga vendet më të mëdha prodhuese të naftës janë pajtuar që ta zvogëlojnë sasinë që e eksportojnë, një vendim ky që pritet të ndikojë në rritjen e çmimeve të naftës në të gjithë botën.

Shtetet anëtare të Opec+, një grup që përfshin edhe Arabinë Saudite e Rusinë, kanë thënë se do të zvogëlojnë sasinë e eksportit për 2 milionë fuçi në ditë, raportoi BBC-ja të mërkurën.

Një fuçi naftë e papërpunuar Brent tregtohej me 84,06 dollarë në fund të shtatorit, derisa çmimi më i lartë u arrit në pranverë – rreth 130 dollarë.

Lajmet për uljen e planifikuar të eksportit të Opec + i ngritën çmimet për 1 për qind, duke shkuar në 92.74 dollarë për fuçi të mërkurën.

Zvogëlimi i shpallur nga Opec + është ulja më e madhe e eksportit nga grupi që nga viti 2020.

Kjo vjen pavarësisht lutjeve nga SHBA-ja dhe të tjerët për të pompuar më shumë naftë, pasi çmimet u rritën këtë pranverë kur lufta në Ukrainë ndërpreu furnizimet.

“Vendimi është teknik, jo politik”, u tha gazetarëve ministri i Energjisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, Suhail al-Mazroui, derisa anëtarët e Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatët u mblodhën në Vjenë për t’i diskutuar planet.

Të ngjashme