Prodhuesit mbijetuan në pandemi, zbutet deficiti tregtar i Kosovës

Prishtinë | 11 Jan 2021 | 11:27 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pandemia ka prekur pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë, por në mënyrë të habitshme statistikat tregojnë se gjatë muajve të pandemisë janë rritur eksportet dhe është zbutur deficiti tregtar i Kosovës.

Ekspertë të ekonomisë thonë se ka një tendencë për t’u rritur eksporti dhe kompanitë kosovare duhet ta shfrytëzojnë këtë moment për të zënë tregje që kanë mbetur “të lira” gjatë pandemisë.

Kompania “Frutex” nga Suhareka, e cila merret me prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike, megjithë vështirësitë për operim, sidomos në fillim të pandemisë, ka arritur ta përmbyllë me bilanc pozitiv vitin që shkoi.

Shaqir Palushi, “Frutex”

Pronari Shaqir Palushi, në një bisedë me Ekonomia Online, ka treguar se kanë pasur rritje të eksportit rreth 25 %, madje kanë nisur eksportin për herë të parë në katër vende të reja, në Evropë dhe në Afrikë.

“Frutex” nga Suhareka pati 25 % rritje të eksporteve

“Përkundër situatës së krijuar, ne kemi pasur një rritje të eksportit dhe rritja shkon deri në 25 për qind, qoftë në vendet ku kemi qenë edhe më herët të pranishëm, ku kemi pasur një rritje të kërkesës për produktet tona; por kemi pasur edhe vende që për herë të parë kemi filluar të eksportojmë, siç janë Holanda, Finlanda, Luksemburgu dhe në Kenia të Afrikës”.

Palushi tregon se në Gjermani dhe në Zvicër kanë shitur nga dy milionë produkte të “Golden Eagle”, kurse në Suedi, Angli dhe Itali janë shitur nga një milion copë të pijes së njohur kosovare. Rritje të shitjeve ka pasur edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Frutex”

Por, Palushi thotë se ky vit ka qenë i vështirë, pasi janë përballur edhe me frikën e infektimit të punëtorëve nga Covid-19, vështirësitë për të lëvizur etj. “Ky vit ka qenë edhe më i rënduar, për shkak të pamundësisë si vizitave me partnerët me të cilët bashkëpunojmë, pamundësia për të marrë pjesë në panaire të ndryshme, qoftë për të ekspozuar produktet, apo për të investuar, sepse ka qenë e pamundur të vizitohen vendet përkatësisht prodhuesit e kësaj teknologjie”.

Pronari i “Frutex” thekson se problemet e prodhuesve të Kosovës janë të vazhdueshme. Sipas tij, nevojitet një ndihmë financiare më e madhe nga shteti për kompanitë që pësuan nga pandemia, sidomos për sektorin prodhues.

“Duke marrë parasysh deficitin e lartë tregtar që ka Kosova, do të duhej shumë më tepër të bëhej në sektorin prodhues. Qeveria duhet ta shohë sektorin prodhues si një prej sektorëve më strategjik”, shprehet Palushi.

“Mendoj që sektori prodhues, meqë edhe janë pak në numër, duhet më shumë të stimulohet dhe të përkrahet; që të jemi më të fuqishëm”.

Haxhimurati: Në fillim të pandemisë patëm frikë, por shitjet s’u ndalën

Një vit aspak i lehtë ishte edhe për kompaninë për prodhimin e verës “Biopak”. Pronari Ismet Haxhimurati tregon se në fillim kanë pasur ulje të prodhimit. Por pas “adaptimit” me pandeminë kanë arritur të shtojnë kapacitetin e prodhimit për 30-40 për qind dhe nuk kanë pasur vështirësi për të paguar punëtorët, madje kanë rritur numrin e tyre.

Ismet Haxhimurati, “Biopak”

Në një intervistë për Ekonomia Online, Haxhimurati theksoi vështirësitë sidomos në fillim të pandemisë. Thotë se kishin drojë a do të arrinin ta menaxhonin situatën, pastaj ishte dhe frika nga sëmundja.

“Kemi pasur gjithmonë një drojë për pengesat, por nuk e kemi ndërprerë prodhimtarinë dhe veprimtarinë tonë në verari”.

Pronari i “Biopak” tregon se ka pasur frikë në mesin e vreshtarëve dhe bujqve se kompania e tyre nuk do të marrë rrushin e vjelë. “Por kjo nuk ka ndodhur dhe kapaciteti është ngritur deri në 30-40% më shumë se vitin e kaluar”.

“Punëtorët nuk i kemi larguar, as edhe një, madje kemi punësuar edhe disa punëtorë shtesë”.

Ai ka mirëpritur ndihmën e ofruar nga shteti, si pjesë e pakos emergjente, ndërsa zbulon se përkrahje kanë pasur edhe nga Ministria e Bujqësisë.

Edhe menaxheri i “Biopak”, Bejtullah Haxhimurati, thotë se në fillim kur u paraqitën rastet e para me Covid-19 – në muajin mars, kishin frikë se do të ndalej shitja e verës, ndërkohë që planet ishin për zgjerim dhe rritje të prodhimit.

Bejtullah Haxhimurati, “Biopak”

“Kemi pasur një kapacitet të prodhuar diku rreth 1.5 milion litra verë dhe ka qenë afër sezonit të vjeljes së rrushit. Por, fatmirësisht gjatë muajve në vijim shitja ka shkuar mbarë. Blerësit tanë jashtë vendit kanë qëndruar karshi neve dhe e kanë tërhequr sasinë në kohën e duhur”, shprehet menaxheri Haxhimurati.

Piraj: Industria e mishit ka qenë më pak e prekur

Kompania “Meka” nga Sharri, e njohur për prodhimet nga mishi i pulës dhe i gjedhit, pavarësisht krizës, po ashtu ka arritur që ta përmbyllë vitit 2020 me rritje.

Pronari Burim Piraj, në një bisedë me Ekonomia Online, tregon se madje kanë punësuar edhe disa punëtorë të rinj dhe për këtë falënderon qytetarët që kanë blerë prodhimet e tyre.

“Jemi me fat që kemi arritur, përkundër vështirësive, të kemi bilanc pozitiv krahasuar me vitin paraprak. Industria e mishit ka qenë më pak e prekur se industritë e tjera, të cilat pandemia i ka shkatërruar, si hotelerinë e restorantet. Ne, nëpërmjet marketeve, kemi pasur shitje të konsiderueshme që kemi arritur ta realizojmë planin. Mirëpo, ekonomia në përgjithësi ka qenë shumë e prekur”.

Burim Piraj, “Meka”

“Jemi ballafaquar me disa kushte të reja të papritura, të cilat nuk i kemi pasur më parë. Ato kufizimet fillestare që janë vendosur nga institucionet e Republikës së Kosovës, por edhe nga institucionet e vendeve të tjera, kanë krijuar shumë hapësirë për huti. Kemi pasur probleme logjistike, të plasimit të mallit, të punës”, shprehet Piraj.

Në zinxhirin e “fastfood”-eve të “Mekës”, pandemia ka ndërruar të gjithë mënyrën e punës. “Konsumatorët kanë filluar të bëjnë porosi më shumë se që ka pasur përpara”.

“Kemi pasur largim të punëtorëve në ‘fastfoode’, por jo për shkak të pandemisë, por për shkak të riorganizimit të kompanisë, dhe riformulimit të detyrave të punës. Kemi pasur 3 punëtorë tepricë të fuqisë punëtore. Në anën tjetër në përpunim të mishit jemi detyruar të punësojmë punëtorë, dhe mendojmë se të vazhdojmë me punësim”.

E problem i vazhdueshëm për çka ankohet kompania “Meka” janë ndërprerjet e shpeshta të rrymës, në rajonin e Sharrit, ku ndodhet fabrika. “Kemi pasur probleme me energjinë elektrike, kemi tentuar t’i zgjidhim në mënyrë virtuale. Mungesa e rrymës është pengesë e rrezikshme dhe duhet të ketë konsideratë që mos të ngelen pa arsye kompanitë pa të”.

Piraj bën të ditur se tashmë ka nisur një hetim për KEDS-in, i cili reduktimet zakonisht i arsyeton si “punime të planifikuara”.

Edhe ky ndërmarrës mendon se Qeveria duhet të stimulojë prodhimin. Sipas tij, Ministria e Financave ka premtuar se do të lirojë lëndën e parë nga taksa doganore, por bizneset po paguajnë ende.

Lumnije Ajdini nga Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) thotë se në kuadër të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike, që u miratua në dhjetor 2020, pas shumë zvarritjeve për motive politike, janë paraparë mbi 200 milionë për bizneset. Mirëpo, ajo ka frikë se tashmë koncentrimi do të jetë në zgjedhje, dhe implementimi i Ligjit për Rimëkëmbje do të lihet në rend të dytë.

Ajdini: Prodhuesit rritën cilësinë dhe vazhduan kontratat

E pyetur lidhur me statistikat që tregojnë që gjatë muajve të pandemisë janë rritur eksportet dhe është zbutur deficiti tregtar i Kosovës, Ajdini ka një shpjegim.

Sipas saj, shumica e prodhuesve të Kosovës kanë arritur që kontratat që i kanë pasur më herët t’i vazhdojnë, edhe pse kanë pasur vështirësi për lëvizjen e lirë. “I kanë shfrytëzuar ato kontrata që i kanë pasur të mëhershme, dhe ka pasur disa bizneseve të reja, që kanë prodhuar dhe kanë eksportuar produktet e tyre jashtë vendit”.

Ajdini bën të ditur se rritje të eksporteve ka pasur me Shqipërinë, por edhe me vendet e tjera, si Maqedoninë dhe Serbinë. “Ndërsa, me vendet e Evropës kemi pasur me Italinë dhe Gjermaninë, e cila ka prirë me produktet e Kosovës. Por këtu vlen të theksohet edhe diaspora që ka ndihmuar në ndërmjetësim, dhe të cilët janë fokusuar shumë në promovimin e prodhimit”.

Lumnije Ajdini, AKB

“Ne si Aleancë e Bizneseve, edhe në vitin paraprak, pra gjatë vitit 2020 kemi pasur projektin ‘Promovimi i eksportit të Kosovës’ dhe jemi të kënaqur që del, duke u bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave, por edhe të Bankës Qendrore, se janë rritur eksportet dhe është ulur deficiti tregtar”.

Një faktor që ka ndihmuar në rritjen e eksporteve të Kosovës gjatë vitit që shkoi, i cili konsiderohet si më i rëndi për ekonominë globale, sipas Ajdinit, është dhe rritja e cilësisë së prodhimeve.

“Prodhuesit e Kosovës kanë arritur të prodhojnë produkte cilësore, pra duke plotësuar standardet ndërkombëtare për eksport. Mirëpo, ende mbetet punë për të bërë që t’i ndihmojmë edhe më shumë eksportuesve të Kosovës, përveç promovimit, edhe nga ana e shtetit që të kenë subvencion gjatë eksportit të produkteve, gjë që u ka munguar për vite të tëra”.

Ajdini thekson se AKB-ja, dhe odat e tjera ekonomike, kanë rekomanduar se duhet të përgatitet një strategji e zhvillimit dhe rritjes së eksporteve të Kosovës, mirëpo këto kërkesa nuk janë marrë parasysh nga asnjë prej qeverive të kaluara.

Ujkani: Pandemia duhet të shfrytëzohet nga prodhuesit kosovarë

Emrush Ujkani, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë (KIE), thotë për Ekonomia Online se sikur çdo kategori tjetër e bizneseve, dhe sektori prodhues, e ka përjetuar rëndë pandeminë. Kjo situatë, sipas tij, është rënduar nga mosveprimi adekuat, ose i vonuar, nga ana e institucioneve për të marrë masa për rimëkëmbje.

“Kanë hasur në vështirësi të ndryshme, qoftë nga kufizimet e lëvizjeve, qoftë të punëtorëve; pastaj lëvizja me makineritë e tyre nëpër territor… E një pjesë e tyre janë kufizuar në rritjen e tregut ku e kanë pasur destinacionin për shkak të kufizimeve të lëvizjes”.

Ujkani vlerëson se shfaqja e pandemisë ka çrregulluar tregun global dhe kjo mund të jetë një mundësi reale për vendet si Kosova, e cila synon që ta ndryshojë bilancin tregtar, që ka qenë në dëm të eksportit.

“Ka një tendencë për t’u rritur eksporti dhe nëse dimë ta shfrytëzojmë si duhet, pas pandemisë do jetë një moment që nuk guxojmë ta humbim, dhe ndoshta do jetë një moment kyç për ekonominë e vendit tonë”, shprehet ai.

Emrush Ujkani, KIE

Drejtori i KIE thotë se vonesat në miratimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike e ka privuar nga ndihma sektorin privat, përfshirë bizneset prodhuese; megjithëse këto të fundit, sipas tij, janë mbajtur më mirë.

“Rënia e fuqisë blerëse nga konsumatori ka pasur ndikimin e vet. Prapë se prapë, bizneset prodhuese janë mbajtur më mirë dhe vazhdojnë të jenë në treg. Por, nuk mund të garantojmë se do vazhdojë nëse mungon mbështetja institucionale”, thekson Ujkani.

STATISTIKA

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), duke filluar nga marsi 2020 kur janë paraqitur rastet e para me pandemi, dhe gjatë tërë muajve në vazhdim, ka pasur rritje të eksporteve të mallrave; si dhe deficit më të ulët tregtar, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak (2019).

Kështu, të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për 219.9 milionë Euro (-15.3%) në muajin mars 2020, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2019.

Eksporti i mallrave në mars 2020 ishte 32.1 milionë Euro, që është një rritje prej 8.8%; ndërsa importi 252.0 milionë Euro (një rënie prej -12.8%), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019.

Në prill 2020, deficiti tregtar ishte për -37.6% më i ulët (161.2 milionë Euro) krahasuar me vitin paraprak. Kurse, eksporti kishte vlerën 32.6 milionë € (një rënie prej -11.5%).

Në maj 2020, deficiti tregtar ishte më i ulët për -30.9% (200.3 milionë Euro). Eksporti mbulon importin (16.2%). Kurse, eksporti i mallrave ishte në vlerë 38.7 milionë € (një rritje prej 21.6%); ndërsa importi 239.0 milionë € (rënie prej -25.7%).

Në qershor deficiti tregtar ishte për 1.3% më i lartë (246,1 milionë €). Kurse, eksporti i mallrave kishte vlerën 44,6 milionë € (një rritje prej 39.0%).

Në korrik, deficiti tregtar ishte për -11.0% më u ulët (263.7 milionë €). Eksporti i mallrave ishte 42.6 milionë (një rritje prej 5.4%).

Në gusht, deficiti tregtar ishte për -18.2% më i ultë (228.9 milionë €). Eksporti ishte 34.3 milionë € (një rritje prej 7.6%).

Në shtator, deficiti tregtar ishte -4.5% më i ultë (245.5 milionë). Eksporti pati vlerën 41.7 milionë (rritje prej 8.6%).

Deficit të ulët tregtar pati edhe në tetor, gjegjësisht për -5.5% (267.0 milionë €). Eksporti ishte në vlerë 50.6 milionë € (një rritje prej 56.6%).

Edhe në nëntor 2020, deficiti tregtar ishte më pozitiv krahasuar me nëntorin e vitit paraprak, përkatësisht -0.9% (ose në vlerë 259.9 milionë €). Eksporti i mallrave kishte vlerën 45.7 milionë € (një rritje prej 29.4%).

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 34.2% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 14.8% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 11.8% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 9.5% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 6.4% e përbëjnë produktet bimore; 4.4% e përbëjnë produktet minerale; 4.4% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së, në nëntor 2020, arritën në 16.9 milionë Euro, ose rreth 37.0% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 8.5%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Italia (11.0%), Gjermania (9.8%), Holanda (4.2%), etj.

Kurse me vendet e CEFTA-s, eksportet e Kosovës arritën në 18.1 milionë Euro, me një rritje prej 32.1%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (17.8%), Maqedonia e Veriut (10.6%), Serbia (6.5%), dhe Mali i Zi (3.7%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 10.6 milionë Euro, ose 23.4%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: Zvicra (10.1%) dhe SHBA (7.5%).

Ndërsa importet e Kosovës me vendet e tjera të botës, në nëntor 2020, ishin 102.4 milionë Euro. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (11.9%) dhe Kina (10.6%).

Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit “Promovimi i Edukimit Medial dhe Forcimi i Gazetarisë së Pavarur në Ballkanin Perëndimor”, i cili realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes British Embassy Pristina. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorëve/autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Albany Associates, Media Centar Sarajevo, apo KosovaLive.

Lexo më shumë:

Të ngjashme