Programi ekonomik i qeverisë Kurti vetëm fjalë, pa masa e shifra konkrete

Prishtinë | 06 Qer 2021 | 22:17 | Nga Ekonomia Online

Anëtari i Kryesisë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh ekspert i ekonomisë, Alban Zogaj, ka dhënë kritika të shumta në drejtim të programit ekonomik të qeverisë Kurti. Në intervistën dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se programi i qeverisë është i zbrazët dhe nuk thotë asgjë. “Programi i qeverisë Kurti II është program tepër i zbrazët. Ka shumë fjalë, pa asnjë masë e pa asnjë shifër. Pra, nuk thotë asgjë”, është shprehur Zogaj. Në këtë intervistë ai ka folur edhe për përgatitjet e LDK-së për zgjedhjet lokale. Zogaj ka thënë se janë shumë optimistë dhe të bindur në rikthim të LDK-së në këto zgjedhje.

Anëtari i Kryesisë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh ekspert i ekonomisë, Alban Zogaj, ka theksuar se veprimet deri më tani të qeverisë Kurti janë inekzistente. Ai ka dhënë kritika të shumta në drejtim të programit ekonomik të qeverisë. “Programi i Qeverisë Kurti II është program tepër i zbrazët. Ka shumë fjalë, pa asnjë masë e pa asnjë shifër. Pra, nuk thotë asgjë. Nuk na tregon sa do të jetë rritja ekonomike në mandatin e tij, nuk na tregon sa do të jetë buxheti i shtetit në mandatin e tij, nuk na tregon për sa do të ulet papunësia dhe si do t’i qaset këtij problemi të madh për vendin”, ka deklaruar Zogaj në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”.

Duke folur për iniciativën për faljen e gjobave në kohën e pandemisë, ai ka thënë se gjobat që janë shqiptuar gjatë kësaj periudhe do të duhej të faleshin në mënyrë që kjo falje të konsiderohej si ndihmë për sektorin privat. “Rekomandimet tona janë që të ndihmohet sa më shumë që të jetë e mundur biznesi. Përveç ndihmës direkte, mund të aplikohen edhe ndihma indirekte, siç janë uljet e taksave dhe lirimet nga obligimet e tjera. Çdo para që mbetet në menaxhim të sektorit privat dhe konsumatorit në këtë kohë, është ndihmë për ta dhe është ndihmë për ekonominë”, ka theksuar ai.

Në këtë intervistë, Zogaj ka folur edhe për përgatitjet e LDK-së për zgjedhjet lokale. Ai ka thënë se janë shumë optimistë dhe të bindur në rikthim të LDK-së në këto zgjedhje. “Po përgatitemi fuqishëm për zgjedhjet lokale. Jemi duke punuar me strukturat tona për të caktuar të gjithë kandidatët sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që të punojmë në programe dhe në fushatë supermoderne. Besoj shumë që do të kemi një ofertë shumë të mirë për qytetarët e Kosovës”, ka pohuar Zogaj.

“Epoka e re”: Si e vlerësoni planin e qeverisë Kurti sa i përket agjendës ekonomike?

Zogaj: Programi i qeverisë Kurti II është program tepër i zbrazët. Ka shumë fjalë, pa asnjë masë e pa asnjë shifër. Pra, nuk thotë asgjë. Nuk na tregon sa do të jetë rritja ekonomike në mandatin e tij, nuk na tregon sa do të jetë buxheti i shtetit në mandatin e tij, nuk na tregon për sa do të ulet papunësia dhe si do t’i qaset këtij problemi të madh për vendin. Nuk tregon si do t’i qaset problemit të deficitit tregtar dhe për sa do të rriten investimet e huaja. Asnjë masë stimuluese për sektorin privat, përveç atyre që, në fakt, e dëmtojnë sektorin privat, siç është masa e rritjes së pagës minimale. Për befasinë tonë, nuk planifikohet asnjë projekt i madh kapital, asnjë fjalë në këtë drejtim, as në energji e as në sektorë të tjerë. Koncentrimi më i madh i kësaj qeverie, në aspektin ekonomik, është në shtimin e burokracisë dhe rregullimit ekonomik. Planifikohet edhe një agjenci e re, Agjencia Zhvillimore, planifikohet Fondi Sovran, planifikohet Banka Zhvillimore, të gjitha këto tepër pak të shpjeguara e të lëna në mjegull.

“Epoka e re”: Në aspektin ekonomik nuk keni parë asgjë konkrete?

Zogaj: Nuk kemi parë asgjë konkrete deri më tani. Asnjë vendim konkret, asnjë masë konkrete që do ta ndihmonte rimëkëmbjen ekonomike. Programi është i thatë dhe i dobët, veprimet deri më tani janë inekzistente.

“Epoka e re”: Rezoluta lidhur me faljen e gjobave gjatë pandemisë nuk kaloi në Kuvend, nga ana tjetër kemi kërkesë nga përfaqësues të odave ekonomike për falje të borxheve. Sipas jush, si duhet vepruar në këtë drejtim?

Zogaj: Falja e gjobave, në këtë rast, po e përsëris vetëm gjobat që janë shqiptuar në kohën e pandemisë dhe për shkak të masave të pandemisë, do të duhej të faleshin dhe kjo falje të konsiderohej si ndihmë për sektorin privat. Shtetet e tjera kanë mbyllur ekonomitë, por në anën tjetër kanë ndihmuar ato. Tek ne kemi pasur mbyllje të ekonomisë, por pa asnjë ndihmë. Andaj, në këtë rast, e pakta që do të mund të bënim është falja e këtyre gjobave.

“Epoka e re”: Ende s’kemi parë dizajnim të ndonjë pakoje për rimëkëmbje ekonomike. Si qëndron Kosova në këtë aspekt, dhe a jemi vonuar për pako të re ekonomike?

Zogaj: Jemi shumë vonë në shumë aspekte. Përveç pakove të ndihmës, duhet të kemi edhe plan të qartë të vaksinimit. Vaksinimi na kthen në normalitet, e normaliteti e rimëkëmb ekonominë. Gjithashtu, është qenësore të kemi mundësi ta presim diasporën tonë gjatë stinës së verës.

“Epoka e re”: Cilat janë rekomandimet e juaja sa i përket rimëkëmbjes ekonomike dhe meqenëse tabori opozitar s’mund ta kalojë asnjë rezolutë, a e shihni rrezikun arbitrar të vendimmarrjeve ekonomike?

Zogaj: Rekomandimet tona janë që të ndihmohet sa më shumë që të jetë e mundur biznesi. Përveç ndihmës direkte, mund të aplikohen edhe ndihma indirekte, siç janë uljet e taksave dhe lirimet nga obligimet e tjera. Çdo para që mbetet në menaxhim të sektorit privat dhe konsumatorit në këtë kohë, është ndihmë për ta dhe është ndihmë për ekonominë.

“Epoka e re”: Meqë jeni në kryesi të LDK-së, sa jeni të konsoliduar dhe në të njëjtën kohë të përgatitur për zgjedhjet lokale?

Zogaj: Po përgatitemi fuqishëm për zgjedhjet lokale. Jemi duke punuar me strukturat tona për t’i caktuar të gjithë kandidatët sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të punojmë në programe dhe në fushatë super-moderne. Besoj shumë që do të kemi një ofertë shumë të mirë për qytetarët e Kosovës.

“Epoka e re”: Cilat komuna pretendoni se do t’i fitoni dhe a keni drojën e humbjes së bastioneve të LDK-së në të cilat keni fituar në zgjedhjet e kaluara lokale?

Zogaj: Jemi shumë optimistë dhe të bindur në rikthim të LDK-së në këto zgjedhje lokale.

Të ngjashme