Publikohen të gjeturat e Studimit të Odës Amerikane mbi Perceptimin e Korrupsionit

Prishtinë | 11 Dhj 2021 | 13:37 | Nga Ekonomia Online

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Programin e Drejtësisë Komerciale të USAID kanë publikuar studimin e katërt mbi perceptimin e korrupsionit nga ana e ndërmarrjeve të sektorit privat në Kosovë.

Derisa studimi i vitit 2021 tregon një optimizëm në rritje të bizneseve për sa i përket përkushtimit të Qeverisë së re për luftimin e korrupsionit dhe pranisë së korrupsionit në këtë institucion, korrupsioni dhe efektshmëria e organeve të zbatimit të ligjit megjithatë mbesin shqetësim për komunitetin e biznesit.

Si i tillë korrupsioni renditet si problemi i dytë më i madh me të cilin bizneset përballen për momentin pas problemit të migrimit të fuqisë punëtore. Mbi 87% e bizneseve të anketuara mendojnë se korrupsioni është një çështje kritike për ta, derisa asnjëri nga respondentët nuk mendon se nuk ka korrupsion në Kosovë. Nga studimi i këtij viti rezulton se vetëm 12% e të anketuarve besojnë se në krahasim me pesë vitet e kaluara korrupsioni është rritur, që në përqindje është dukshëm më e ulët se krahasuar me vitin 2020.

Rryshfeti mbetet lloji më i zakonshëm i korrupsionit në Kosovë, pasuar nga keqpërdorimi i fondeve publike, nepotizmi dhe kronizmi dhe specifikimi i tenderëve për të favorizuar ofrues individualë. Sundimi i dobët i ligjit raportohet të jetë ende faktori numër një që kontribuon në praninë e korrupsionit, sipas bizneseve, nga më shumë se 83% e të anketuarve, duke shënuar kështu një rritje të ulët krahasuar me studimin e vitit 2020, pasuar nga mungesa e vullnetit politik për të luftuar korrupsionin me 61% të bizneseve, që krahasuar me studimin e vitit të kaluar ka treguar një rënie mjaft të madhe.

Gati 30 për qind e të anketuarve kanë dhënë një përgjigje negative rreth besimit të tyre në sistemin e drejtësisë, duke shënuar një rënie në krahasim me Studimin e vitit 2020, ndërsa rreth 11 për qind e tyre e kanë vlerësuar besimin e tyre si të pjesshëm, në këtë sistem, i cili krahasuar me sondazhin e vitit 2020 kjo ka rënë. Rreth 58% e të anketuarve besojnë se Qeveria është e përkushtuar për luftimin e korrupsionit, ndërsa më pak se 20% e tyre besojnë se qeveria nuk është e përkushtuar dhe se kjo nuk do të ndryshojë as në të ardhmen.

Sipas studimit të vitit 2021, bizneset besojnë se Organi i Shqyrtimit të Prokurimit është institucioni më i korruptuar dhe kjo sipas pikëpamjes së 57% e të anketuarve, pasuar nga gjykatat sipas mendimit të rreth 50% të të anketuarve dhe ndërmarrjeve në pronësi publike me 49%, komunave me 47%, doganave me 43%, duke e lënë Qeverinë si të gjashtën me radhë, sipas 41% të respondentëve. Është shumë interesante të shihen këto ndryshime, pasi viti 2021 shënon vitin e parë që bizneset nuk kanë zgjedhur qeverinë si institucionin më të korruptuar.

Rreth 67% e biznesve të anketuara besojnë se ka korrupsion në transaksionet biznes me biznes, pra në raportet brenda sektorit privat, ndërsa mbi 50% e tyre janë ballafaquar me korrupsion në raportet biznes me biznes, që e bënë hendekun ndërmjet korrupsionit të perceptuar dhe atij real në sektorin privat më të ngushtë se sa në sektorin publik. Në mënyrë të ngjashme, me vitet e mëparshme, përqindja e të anketuarve që kanë raportuar korrupsion mbetet shumë e ulët. Këtë vit, vetëm 11.57% e të anketuarve kanë pretenduar të kenë raportuar korrupsion, i cili shënon një rënie nga studimi i vitit të kaluar. Më së fundi, sondazhi i këtij viti konstaton se përqindja e atyre që kanë raportuar korrupsion në Agjencinë Kundër Korrupsionit është rritur nga 22% në 50%, krahasuar me vitin 2020.

Sipas studimit, 85% e bizneseve nuk raportojnë korrupsionin për shkak të frikës nga hakmarrja, mbi 75% nuk u besojnë institucioneve të gjyqësorit, derisa vetëm 15% e bizneseve të anketuara e shohin korrupsionin si fenomen normal. Krejt në fund, mbi 85% e bizneseve besojnë se korrupsioni është i pranishëm në shkallë të ndryshme në aktivitetet e prokurimit publik, derisa asnjë respondent i vetëm nuk beson se nuk ka korrupsion në prokurimin publik.

Të ngjashme