Qeveria e Kosovës pret që Serbia të paguajë për borxhin e rrymës në veri

Prishtinë | 15 Nën 2017 | 11:21 | Nga

Qeveria e Kosovës, pretendon që në negociatat e ardhshme me Qeverinë e Serbisë në Bruksel, të kërkojë kompensimin e mjeteve materiale nga faturat e shpenzuara të energjisë elektrike nga banorët serbë në katër komunat veriore të vendit.

Një zgjidhje të tillë, Qeveria ka paralajmëruar pas publikimit të fakteve se që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, në vitin 1999, qytetarët e pjesës veriore të Kosovës, përkatësisht konsumatorët e komunave Leposaviq, Mitrovica Veriore, Zubin Potok dhe Zveçan, nuk i kanë paguar faturat e energjisë së shpenzuar dhe se këto borxhe u janë faturuar qytetarëve nga viset tjera të Kosovës.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 8 milionë euro në vit, apo nëse llogaritet që nga përfundimi i luftës, janë rreth 140 milionë euro që qytetarët e këtyre pjesëve kanë shpenzuar, kurse këtë vlerë e kanë paguar konsumatorët e pjesëve tjera të Kosovës.

Katër komunat në veri të Kosovës janë të banuara me shumicë serbe, të cilat ndër vite kanë funksionuar jashtë sistemit juridik-kushtetues të Kosovës.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka tha për Radion Evropa e Lirë, se energjia elektrike e shpenzuar nga konsumatorët në pjesën veriore dhe faturuar konsumatorëve të rajoneve të tjera është e padrejtë.

“Qeveria e Kosovës nuk ka mundësi buxhetore që të kthejë faturat sepse ato janë humbje që i kanë shkaktuar qytetarët e veriut dhe tashmë si Qeveri ne duhet të kërkojmë ato humbje, sepse është e drejtë e jonë të kërkojmë nga Serbia për kompensim”, tha Lluka.

“Realisht këtu futen jo vetëm faturat e papaguara nga veriu, por edhe tarifat e transmisionit që janë marrë qe 16 vite në emër të Kosovës. Pra, të gjitha këto, ne si pjesë të negociatave do t’i përfshijmë dhe nëse nuk arrijmë që gjatë negociatave që të bindim Serbinë t’i kompensojë këto humbje, atëherë ne do shikojmë edhe në forma tjera, siç është forma e arbitrazhit”, thotë tutje Lluka.

Në anën tjetër, në një reagim të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (KMLDNJ) thuhet se kompensimi i mjeteve për konsumatorët e dëmtuar është premtim i që nuk mund të realizohet.

Ky këshill propozon që të zbatohet vendimi i Gjykatës së Apelit për ndërprerje të faturimit diskriminues, mbi baza etnike. Kurse si hap të dytë, deri të bëhet një zgjidhje përfundimtare dhe në përputhje me vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit, KMDLNJ i fton qytetarët e Kosovës të mos e paguajnë energjinë elektrike në shumën e faturuar, por ta paguajnë vetëm 70 për qind të shumës që u faturohet.

Ndryshe, për këtë problem, Avokati i Popullit, në muajin prill të këtij viti, kishte iniciuar hetime duke dërguar lëndën edhe në gjykatë.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari për Radion Evropa e Lirë, konfirmoi se vendimi përfundimtari Gjykatës se Apelit është që Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike të pezullojë vendimin që rryma e shpenzuar për atë pjesë të faturohet për qytetarët e rajoneve tjera.

“Vendimi ose aktgjykimi i Gjykatës së Apelit, lidhur më këtë çështje thotë që të pezullohet zbatimi i këtij vendimi, për shkak të dëmit të pariparueshëm që mund të sjellë vazhdimi i zbatimit të këtij vendimi”.

“Tash jemi në këtë fazë që Zyra e Rregullatorit të Kosovës (ZRRE) do të duhej të zbatonte vendimin e Gjykatës së Apelit lidhur më këtë çështje”, thotë Jashari.Por, zyrtarë të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, thonë se “që çdo vendim i Gjykatës është meritor dhe duhet të zbatohet”.

Aktualisht, ZRRE-ja nuk mund të marrë ndonjë vendim për ndryshimin e tarifave për shkak të mungesës së bordit, i cili aktualisht ka vetëm dy anëtarë dhe nuk mund të marrë asnjë vendim për shkak të mungesës së kuorumit.

Adelina Murtezaj zëdhënëse në këtë zyre, thotë se me ligjet në fuqi dhe rregulloret e tjera, përcaktimi i çmimeve, është kompetencë e vendimmarrjes së Bordit, si organ i vetëm vendimmarrës në ZRRE.

Por, fakti se mungon bordi i ZRRE-së, për Avokatin e Popullit, shihet si e papranueshme që ky organ të mos e zbatojë aktvendimin e Gjykatës.

“Për ne ky vlerësim është i paqëndrueshëm apo pak i ngutshëm, pasi vendimi gjyqësor nuk ka të bëjë fare me mungesën e bordit që është jo funksional për momentin”.

“Është vendim gjyqësor dhe për këtë çështje konkrete realisht ky aktgjykim e ka fuqinë e ligjit, prandaj do duhej të zbatohet pavarësisht mungesës se bordit të ZRRE-së “ thotë Jashari.

Zyrtarë të ZRRE-së, më herët kishin deklaruar se pasi vlera e mjeteve, për rreth 8 milionë euro në vit, nuk është mbuluar nga institucionet e Kosovës, ZRRE-ja ka qenë e detyruar që kostot për mbulimin e humbjeve, duke përfshirë edhe humbjet në veri të vendit, t’ua shpërndajë të gjithë konsumatorëve.

Përveç mospagesës së faturave të rrymës së shpenzuar, banorët e komunave veriore të Kosovës, që nga përfundimi i luftës, nuk paguajnë as faturat për shpenzimin e ujit, që sipas udhëheqësve të Kompanisë Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica”, llogaritet të jenë 12 milionë euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme