Qeveria e lut Kadri Shalën që t’i kthejë 2 milionë eurot

Prishtinë | 23 Tet 2020 | 12:32 | Nga Ekonomia Online

Krahas aktivizimit të organeve të rendit në kërkim të të arratisurve Valon e Kadri Shala, Qeveria e Kosovës i ka nisur një kërkesë dy pronarëve të “LDA Group” Sh.P.K që t’ia kthejnë Thesarit të Shtetit 2 milionë e 77 mijë euro të zhdukura dy javë më parë.

Dy pronarët e kompanisë “LDA Group” Sh.P.K., me bazë në Llapushnik të Drenasit, ndodhen në arrati që nga e marta.

Atë ditë, Policia e Kosovës arrestoi Labinot Grudën, zyrtarin e Thesarit të Shtetit, i cili dyshohet për transferet ilegale në vlerë prej mbi dy milionë eurove në llogarinë e “LDA Group”.

Përmes një kërkese me e-mail drejtuar dy të dyshuarve, të cilët besohet se janë arratisur jashtë vendit, Qeveria e Kosovës i është lutur atyre që në një afat brenda 5 ditëve t’ua kthejnë dy milionë e 77 mijë eurot.

Gazeta Insajderi ka siguruar kërkesën e Departamentit të Thesarit për dy pronarët e “LDA Group”.

“Kërkojmë që në afat prej pesë ditë të ktheni shumën prej 2,077,995.90 Euro në llogarinë e Buxhetit të Republikës së Kosovës në Bankën Qendrore të Kosovës, si pagesë e paautorizuar”, thuhet në kërkesën të cilën e ka siguruar Insajderi.

“Ju si operator ekonomik keni pranuar pagesën në llogarinë tuaj dhe nuk keni njoftuar dhe as kthyer mjetet që i keni pranuar nga buxheti i Kosovës”, thuhet në kërkesën e Departamentit të Thesarit për dy pronarët e “LDA Group”.

Kërkesa e qeverisë për bashkëpunim me pronarët e kompanisë me bazë në Drenas, bazohet në Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2020 për buxhetin e Republikës së Kosovës.

Të ngjashme