Qeveria mban sekret listën për bordin e Trepçës, përjashton britanikët nga procesi i rektutimit

Prishtinë | 03 Pri 2018 | 18:32 | Nga

Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj ka vendosur ta mbajë sekret listën me kandidatët e propozuar për anëtarë të Bordit të Trepçës. Madje Zyra e Kryeministrit ka përjashtuar edhe Ambasadën Britanike në procesin e rekrutimit, pavarësisht një memorandumi të nënshkruar.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar në Qeveri emrat e propozuar nga komisioni vlerësues, por me me gjithë insistimin gjatë gjithë ditës, Gazeta nuk ka arritur t’i sigurojë ata. Zyra për informim në Qeveri ka shpjeguar procedurat, por ka heshtur kur i janë kërkuar emrat për të disatën herë.

“Komisioni Rekomandues i ka propozuar Qeverisë listën e zgjeruar me kandidatë të cilët i plotësojnë te gjitha kushtet për anëtarë të Bordit Mbikëqyrës të Trepça Sh.A. Qeveria e Republikës së Kosovës, nga lista e rekomanduar shumë shpejt do t’i emërojë Anëtarët e Bordit Mbikëqyrës të Trepçës”, thuhet në përgjigjen e ZKM-së.

Në pyetjet shtesë drejtuar kësaj zyre se gazeta nuk ka kërkuar shpjegime procedurale për konkursin, por emrat e kandidatëve të propozuar, ata nuk na kanë kthyer përgjigje. Ndryshe, ka dy javë që JNK ka pyetur ZKM-në pse i ka kërkuar Ambasadës Britanike të mos marrë pjesë në procesin e rekrutimit të kandidatëve, por as këtu nuk kanë dhënë përgjigje.

Paraprakisht gazeta ka pyetur Ambasadën për rekomandimet e saj në lidhje me kandidatët për bordin e Trepçës, pozitë kjo e dakorduar me memorandumin e bashkëpunimit.

“Pozitat për anëtarë të bordit të Trepçës ka qenë në listën e dakorduar. Ne fillimisht ishim të përfshirë në këtë proces, duke ndihmuar në përgatitjen e konkursit, mirëpo pastaj me kërkesë të Qeverisë jemi larguar”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Britanike.

Qeveria thotë se për anëtarë të Bordit Mbikëqyrës të Trepçës kanë aplikuar gjithsej 118 kandidatë.

“Komisioni Rekomandues me datën 29 dhe 30 mars 2018, i ka mbajtur  intervistat me gojë me kandidatët për Anëtarë të Bordit Mbikqyrës të Trepça Sh.A ,  nga shtatëdhjetegjashtë (76) kandidatë që ishin në listë për intervistë me gojë trembëdhjetë (13) kandidat vullnetarisht  kanë  hequr  dorë nga intervista”.

Ky Bord pritet të zgjidhet nga Qeveria.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme