Qeveria planifikon të bëhet bashkaksionare e “Kosovës së Re”

Prishtinë | 27 Sht 2017 | 01:11 | Nga

Ekzekutivi kosovar po planifikon të jetë hisedar i Termocentralit “Kosova e Re” përmes investimeve që po mendon t’i bëjë qoftë nga buxheti, apo nga kreditë e buta.

Drejtuesit e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik po presin që me këtë veprim të mos lejojnë rritjen e çmimit të energjisë, nga e cila do të goditeshin konsumatorët.

Edhe pse ishte planifikuar të niste ndërtimi në tre muajt e parë të këtij viti, afati tash është shtyrë për fundvit, raporton KTV.

Qeveria e Kosovës e ka në plan të futet si bashkë-aksionare në termocentralin e ri, “Kosova e Re”.

Një vendim i tillë, pritet të merret së shpejti, edhe pse ende nuk është e qartë përqindja e pjesëmarrjes.

Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, thonë se brenda këtij viti do të nënshkruhet kontrata me kompaninë amerikane dhe që kontrata do të ketë disa ndryshime.

Të njëjtat ndryshime, sipas tyre, do të bëhen me qëllim të uljes së kostos së çmimit të energjisë, ndërsa ndërtimi parashihet të zgjasë 4 vjet.

Sa i përket termocentralit tjetër, që do të jetojë bashkë me të riun, Lluka ka bërë të ditur se do të rivitalizohet i tëri.

Marrëveshja për ndërtimin e këtij termocentrali ishte nënshkruar në dhjetorin e 2015-ës dhe nga ajo kohë procesi vazhdon të mos jetë i finalizuar.

Në bazë të marrëveshjes së fundit, kompania do të duhej ta menaxhonte termocentralin për 25 vjet dhe që termocentrali të kishte kapacitet prej 600 megavatësh, mirëpo për shkak të negociatave të stërzgjatura, kërkesave nga BE-ja dhe Banka Botërore, kapacitetet e këtij termocentrali ranë në 450 megavat.

Ideja për ndërtimin e këtij termocentrali ka nisur në vitin 2006, kur ishin planifikuar të ndërtoheshin kapacitete mes 1.800 dhe 2.100 megavateve, mirëpo për shkak të dështimeve të njëpasnjëshme dhe kërkesave për mosndotjen e ambientit nga prodhimi i energjisë prej thëngjillit, u ul në çdo proces që u ndërmor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme