Qeveritë jetëshkurtra dhe zgjedhjet e reja zbehin pritjet për rikuperim ekonomik më 2021

Prishtinë | 10 Jan 2021 | 12:23 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lumnije Ajdini nga Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) shpreson që pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, të formohen shpejt institucionet e reja, dhe të mos zvarritet implementimi i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

Në një intervistë për Ekonomia Online, menaxherja e AKB-së, Ajdini, thotë se gjendja e prodhuesve, dhe sidomos e punëtorëve të sektorit privat, është shumë e rëndë.

Ajo thekson se në kuadër të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike, që u miratua në dhjetor 2020, pas shumë zvarritjeve për motive politike, janë paraparë mbi 200 milionë për bizneset. Mirëpo, ka frikë se tashmë koncentrimi do të jetë në zgjedhje, dhe implementimi i Ligjit për Rimëkëmbje do të lihet në rend të dytë.

“Ka qenë një vit i rëndë ekonomik. Jemi pak të dëshpëruar me politikën e Kosovës, sepse po ndikon në jostabilitetin ekonomik. Në vend që të merremi me rimëkëmbjen ekonomike, ne do t’i kemi tri qeveri brenda një viti, dhe kjo na kushton neve si Kosovë. Këtu po pëson ekonomia, bizneset, por edhe vetë qytetarët. Tash me fillimin e vitit 2021, shpresonim që të kishim fokus menjëherë te Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike. Mirëpo kemi zgjedhjet dhe kjo do ndikojë në zvarritjen e implementimit të këtij ligji”.

Nëse nuk do ishin zgjedhjet, ndoshta do të kishim një pritshmëri pak më të madhe”, shprehet Ajdini.

“Edhe në diplomacinë ekonomike nuk kemi pasur promovimin që iu duhet bizneseve dhe prodhuesve tanë… Tash koncentrimi do të jetë tek zgjedhjet. Mirëpo duhet të jemi më të fuqishëm si aleancë e biznesit që mos të anashkalohet zbatimi i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, sepse ne si Kosovë jemi gjithmonë të vonuar, sidomos tani kur duhet të kemi ‘riformatizim’ të bizneseve dhe të ekonomisë pas pandemisë. Vendet e tjera këtë e kanë filluar në shtator të vitit të kaluar, kurse ne ende nuk jemi gati për implementim dhe nuk i kemi kriteret”.

Situata e prodhuesve të Kosovës, sikurse dhe e punëtorëve të sektorit privat, është shumë e rëndë”, thekson Ajdini.

Sipas saj, kriza ekonomike, në Kosovë u rëndua edhe më për shkak të vonesave të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

“E kemi një situatë shumë më të rëndë ekonomike, pasi ne si Kosovë përveç me pandeminë shëndetësore, u ballafaquam edhe me pandeminë politike. E pamë sa zgjati miratimi i Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike. Këtë ligj, në qershor është dashur të nisim ta zbatojmë, bashkë me kriteret e reja për Ligjin e Rimëkëmbjes”.

Ajo shfaq shpresën që pa humbur kohë, duke filluar nga java e ardhshme, të përcaktohen kriteret si do të përfitojnë kompanitë e prekura nga pandemia dhe t’i jepet prioritet tejkalimit të sfidave që i ka ekonomia, biznesi dhe prodhimi vendës.

“Të gjithë së bashku, odat ekonomike, AKB, me qeverinë në detyrë, duhet që të shpejtojmë, sepse nuk kemi kohë dhe jemi shumë vonë për ndihmesën për prodhuesit e Kosovës”.

Ajdini thekson se vendet e BE-së, por edhe të rajonit, të gjithë prodhuesit dhe eksportuesit e tyre i kanë ndihmuar dhe subvencionuar. “Ndërsa prodhuesit dhe eksportuesit e Kosovës, janë të vetmit që nuk janë ndihmuar dhe subvencionuar… Mirëpo tash me Ligjin për Rimëkëmbje ishte dashur të kemi një rritje dhe një dalje prej krizës së madhe që e kanë prodhuesit e Kosovës; janë në kolaps dhe nuk qëndrojnë më”.

“Ne si AKB i kemi dhënë rekomandimet tona kur është dizajnuar Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike. Aty ka shumë masa nga të cilat përfitojnë prodhuesit e Kosovës. Në kuadër të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike janë paraparë edhe mbi 200 milionë që do t’iu ndahen prodhuesve të Kosovës, respektivisht bizneseve. Mirëpo kriteret ende mbesin të papërcaktuara”.

E pyetur lidhur me statistikat që tregojnë që gjatë muajve të pandemisë janë rritur eksportet dhe është zbutur deficiti tregtar i Kosovës, Ajdini ka një shpjegim.

“Sa i përket rritjes së eksporteve dhe uljes së deficitit tregtar në këtë vit, vetë prodhuesit e Kosovës kanë ndikuar që përmes kontratave që i kanë pasur paraprake me vazhdu me ato kontrata, edhe pse kanë pasur vështirësi gjatë lëvizjes së lirë. Mirëpo i kanë shfrytëzuar ato kontrata që i kanë pasur të mëhershme, dhe gjithashtu ka pasur edhe prej disa bizneseve të reja, e disa prodhues që kanë prodhuar dhe kanë eksportuar produktet e tyre jashtë vendit”.

Ajdini bën të ditur se rritje të eksporteve ka pasur me Shqipërinë, por edhe me vendet e tjera.

“E dimë se sa i përket strukturës së eksporteve çka eksporton Kosova… Mirëpo vlen të theksohet që rritje të eksporteve të produkteve kemi pasur me Shqipërinë, më pas Maqedoninë dhe Serbinë; ndërsa sa i përket me vendet e Evropës kemi pasur me Italinë dhe Gjermaninë, e cila ka prirë me produktet e Kosovës. Por këtu vlen të theksohet edhe diaspora që ka ndihmuar në ndërmjetësim, dhe të cilët janë fokusuar shumë në promovimin e prodhimit”.

“Ne si Aleancë e Bizneseve, edhe në vitin paraprak, pra gjatë vitit 2020 kemi pasur projektin ‘Promovimi i eksportit të Kosovës’ dhe jemi të kënaqur që del se ka pasur rritje duke u bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, por edhe të Bankës Qendrore, se janë rritur eksportet dhe është ulur deficiti tregtar”.

Një faktor që ka ndihmuar në rritjen e eksporteve të Kosovës gjatë vitit që shkoi, i cili konsiderohet si më i rëndi për ekonominë globale, përfshirë dhe Kosovën, sipas Ajdinit, është dhe rritja e cilësisë së  prodhimeve.

“Prodhuesit e Kosovës kanë arritur të prodhojnë produkte cilësore, pra duke plotësuar standardet ndërkombëtare për eksport. Mirëpo ende mbetet punë për të bërë që t’i ndihmojmë edhe më shumë eksportuesve të Kosovës përveç promovimit që e kemi, por edhe nga ana e shtetit që ata të kenë subvencion gjatë eksportit të produkteve gjë që i ka munguar për vite të tëra”.

Ajdini thekson se AKB-ja, dhe odat e tjera ekonomike, kanë rekomanduar se duhet të përgatitet një strategji e zhvillimit dhe rritjes së eksporteve të Kosovës, mirëpo këto kërkesa nuk janë marrë parasysh nga asnjë prej qeverive të kaluara.

Të ngjashme