Qumështarët kërkojnë hetim për vendimin e marrë nga Qeveria për masat mbrojtëse

Prishtinë | 03 Gus 2018 | 17:31 | Nga

Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit dhe Shoqata e Qumështarëve të Kosovës, kërkojnë hetimin e vendimit të dyshimtë për masat mbrojtëse nga Qeveria e Kosovës.

Ende pa u bërë një muaj nga fillimi i aplikimit të masës mbrojtëse për qumështin e importuar nga Bosnja dhe Hercegovina, Qumështarët thonë se ajo u shfuqizua në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës këtë të martë. Kjo, për ta është një goditje e rëndë, siç thonë ata, “në përpjekjet tona për të mbijetuar dhe për t’u zhvilluar”.

“Me këtë vendim, Qeveria nuk priti t’i shoh rezultatet pozitive për prodhuesit vendorë që do të mund vinin si pasojë e aplikimit të masave mbrojtëse. Vetëm pas tri ditëve të para kur filloi aplikimi i masave mbrojtëse, përfitimi për buxhetin e shtetit ishte mjaft i madh, me rreth 252000 euro të inkasuara. Ne e kemi shumë të vështirë që të gjejmë arsye brenda logjikës së shëndoshë se pse është marrë një vendim i tillë. Aq më tepër ku sipas raportimeve, ky shfuqizim as që është debatuar e argumentuar në këtë mbledhje. Kur nuk ka një arsyetim ose debat rreth një çështje kaq të rëndësishme, atëherë dyshimet tona rriten edhe më tej për arsyet prapa këtij vendimi. Në këto rrethana, ne themi se Qeveria e Kosovës është fajtori kryesor për shkatërrimin e sektorit të qumështit në vend”, thuhet në reagimin e tyre, transmeton Koha.net.

“Ne duam t’ia kujtojmë edhe njëherë qeverisë sonë se Bosnja dhe Hercegovina nuk e njeh Kosovën si shtet, dhe se prodhuesit tanë hasin në dhjetëra pengesa kur tentojnë të eksportojnë në këtë shtet. Në fakt, një gjë e tillë shpesh herë është e pamundur. Pra, në këtë mes nuk mund të ketë një arsyetim të mendësisë ekonomike të bazuar në frikën për masa reciproke të supozuara. Nuk mund të kesh masa reciproke import-export me një shtet që nuk të njeh dhe nuk ta lejon eksportin. Ne kërkojmë nga Prokuroria e Shtetit që ta hetojë këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, meqë ne dyshojmë se vendimi është marrë si pasojë e presioneve dhe korrupsionit”, thuhet tutje.

Ata ftojnë të gjithë qumështarët, qofshin ata fermerë, pikat grumbulluese apo përpunues të qumështit, që të reflektojnë rreth trajtimit që është duke iu bërë qeveria dhe të mendojnë për bashkimin e forcave rreth krijimit të një Strategjia Kombëtare për sektorin e qumështit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme