Qumështarët kërkojnë të ndalohet importi i vajit të palmës dhe yndyrave bimore

Prishtinë | 22 Mar 2018 | 18:09 | Nga

Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit, nëpërmes një komunikate shtypi, ka shprehur shqetësimin lidhur me informatat se vaji i palmës dhe produktet me yndyrë bimore, të cilat po shiten si produkte të qumështit, po vazhdojnë të importohen dhe prodhohen ne Kosovë pa asnjë pengesë.

“Edhe pse kishim shpresa të mëdha se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) do të ndërmarrin masa kundër këtyre prodhimeve, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë masë e cila do ta lehtësonte gjendjen e rëndë në të cilën ndodhemi ne tash e shumë vite”, thuhet në një komunikatë, të nënshkruar nga kryetari i shoqatës Besim Kuqi.

“Ne duam ta njoftojmë opinionin se distancohemi plotësisht nga kërkesat që i janë adresuar MTI-së për mos ndërmarrjen e masave mbrojtëse nga disa përpunues të papërgjegjshëm të qumështit”.

“Ne kërkojmë me ngulm nga MTI-ja dhe AUV që sa më shpejt të ndërmerren masat për t’i mbrojtur prodhuesit vendës të qumështit. Të ashtuquajturat qumështore vendore që përdorin yndyra bimore në prodhimet e tyre janë duke i dëmtuar prodhuesit seriozë të qumështit njësoj sikurse prodhimet e importit, prandaj kërkojmë që sa më parë të ndalohen këto prodhime”, theksohet në komunikatë.

“Sezoni i verës po afron dhe ne jemi shumë të shqetësuar se qumështoret e Kosovës do të fillojnë të na reduktojnë qumështin sikurse viteve të kaluara. Ne nuk do të kemi asnjë mundësi mbijetese në qoftë se do të ketë reduktime të qumështit sikurse viteve të kaluara”, ka thënë Kuqi.

Të ngjashme