Qytetarët e vlerësojnë punën e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka

Prishtinë | 24 Dhj 2017 | 15:00 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Puna e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i cili mori këtë detyrë në shtator 2017, po mirëpritet nga qytetarët.

Qytetarë të intervistuar nga Ekonomia Online e kanë vlerësuar Llukën si një kuadër të ri e të shkolluar, ndërsa kanë veçuar si të arritura kryesore nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” dhe sjelljen e një dinamike në këtë të ministri të rëndësishme që mbulon disa sektorë strategjikë të ekonomisë: Energjinë, Minierat dhe Monitorimin e ndërmarrjeve publike.

“Mendoj që është kuadër i ri, kuadër i mirë, i shkolluar”, tha Istref Kelmendi, i cili ka porositur që të punohet në ekip.

“Nëse punojnë në ekip, do t’i ketë punët më mirë edhe Kosova. Vetëm një njëri nuk mundet sado të ketë dije, sepse duhet të ketë edhe përkrahje. Unë shpresoj që ai në mënyrë ekipore punon, zhvillon ka eksperiencat, ka mundësi mi zhvillu eksperiencat botërore”, u shpreh Kelmendi.

Imer Hasanaj tha se nga këto 100 ditë të punës së Qeverisë Haradinaj, ka fituar një përshtypje se ministri i Zhvillimit Ekonomik është “një djalë i angazhuar fort”.

“Në qoftë se termocentrali i ri me gjithë atë kapacitet ndërtohet si këto të tjerat me helmu, është katastrofë. Por, nëse bëjnë diçka që nuk ka helmim, është e nevojshme. Kosova është kah zhvillohet çdo ditë. E vlerësoj shumë mirë, për mua është një ndërmarrje shumë e qëlluar”, u shpreh ky qytetar.

“Unë po mendoj që e kanë bërë një përparim, një progres edhe pse kjo çështja e termocentralit është ndier si nevojë shumë ma herët, derisa ka mbërri tek ministri i fundit. Po është hap i mirë, është punë e mirë e tij”, deklaroi Veton Mehmeti.

“Len përshtypje që është shumë punëtor. Shihen tiparet e tij që ka vend për me qenë ministër”, shtoi ai.

Rifat Deliu, po ashtu, e vlerësoi ministrin Valdrin Lluka si një “njeri të zoti”. Por, ai theksoi se ka shumë sfida, sikur në çdo ministri, për t’u konsoliduar dhe punuar sa më mirë e drejt.

“Dalëngadalë sendet po vijnë tu ra në binarë. Unë shpresoj që shumë shpejt ka me ardhë te një zhvillim i Kosovës. Ka perspektivë, shihen perspektivat në të gjitha drejtimet, mirëpo janë procese të rënda për mu kalu”, u shpreh Veli Islami, qytetar i Prishtinës.

Qëndrim Rexha, i pyetur të japë një përshtypje të tij se cilët janë ministrat më të mirë të kabinetit Haradinaj, ka përmendur tre.

“Në medie çka po lexoj, ministri i Arsimit, Bytyqi; ministri i Shëndetësisë, Ismajli dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Lluka… Definitivisht në rast se e mban fjalën për një propozim që e ka dhënë për ndërmarrje publike, një ndërmarrje që është e mbipopulluar me punëtorë për t’i bartë punëtorët e një ndërmarrjeje tjetër që ka nashta mungesë të stafit, ka qenë shumë ide e mirë që mua më ka pëlqyer; kështu që ishalla e realizon”, tha ky i ri.

BIOGRAFIA E MINISTRIT VALDRIN LLUKA:

Valdrin Lluka është një ekzekutiv dhe sipërmarrës me mbi 12 vite eksperiencë në zhvillimin e sektorit privat, lidership dhe konsulencë menaxheriale. Ai mban titullin Master në Administrim Biznesi (MBA) nga Universiteti i Minesotës (Carlson School of Management) dhe Ekonomist nga Universiteti Amerikan në Bullgari.

Gjatë eksperiencës së tij profesionale, Lluka ka dëshmuar aftësi për të zhvilluar, implementuar dhe menaxhuar aktivitete inovative promocionale për të tërhequr investime të huaja direkte në Kosovë dhe për të promovuar prodhimet vendore jashtë vendit përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), agjenci qeveritare nën Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ku ai shërbej për 4 vite në kapacitetin e Kryeshefit Ekzekutiv.

Lluka ka udhëhequr Këshillin Kombëtar të Zonave Ekonomike, i emëruar nga Kabineti i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe ka shërbyer në disa borde për zhvillim ekonomik, brenda dhe jashtë Kosovës. Ka eksperiencë të gjerë me ndërtimin e brendeve, në nivel të kompanisë dhe shtetëror, dhe aftësi të mira analitike, komunikative, prezantuese dhe organizative, kryesisht të fituara përmes trajnimeve të ndryshme dhe projekteve në konsulencë menaxheriale në Kosovë dhe SHBA.

Lluka së fundmi ka udhëhequr disa projekte në prodhim të produkteve të freskëta dhe të procesuara, duke punësuar mbi 200 punëtor dhe eksportuar 100% të prodhimit në tregjet e Bashkimit Evropian. Për më tepër, Lluka ligjëron lëndën e Ndërmarrësisë në Kolegjin Universum në Prishtinë, duke e kombinuar eksperiencën e tij me njohuritë më të fundit të ndërmarrësisë nga literaturat bashkëkohore.

Ai gjithashtu është i angazhuar vullnetarisht si bashkudhëheqës i Bordit të Fondit Kosovaro Amerikan të Edukimit (KAEF), fond ky i dedikuar për zhvillimin afat-gjatë ekonomik të Kosovës përmes edukimit të qytetarëve në top universitete Amerikane në nivelin Master. (Burimi: mzhe-ks.net)

Të ngjashme