Qytetarët kanë të ruajtura në banka 3 miliardë euro

Prishtinë | 26 Kor 2018 | 11:08 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shoqata e Bankave të Kosovës vlerëson se Fondi i Sigurimit të Depozitave është një nga shtyllat kryesore të stabilitetit financiar në vend.

Drejtori i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, tha se FSD është një fond stabil dhe shumë i rëndësishëm.

Duke folur për gjendjen aktuale të sistemit bankar, Balija bëri të ditur se ka një rritje të depozitave. Sipas tij, 3 miliardë euro janë të depozituara, deri tash.

“Nëse e shikojmë gjendjen aktuale të sistemit bankar, mund të themi se kemi një sektor jashtëzakonisht stabil me përformancë që s’ka qenë ndër vite. Kemi një rritje të vazhdueshme të depozitave, këtë vit sipas të dhënave të fundit rritja e depozitave është 5 përqind, kështu duke arritur 3 miliardë euro depozita në sistemin bankar. Nga këto depozita është një balancë i mirë mes ekonomive familjare dhe ndërmarrjeve, ku 70 përqind e depozitave u takojnë ekonomive familjare dhe 30 përqind ndërmarrjeve”.

Ai këto komente i bëri në një konferencë për media të Fondit për Sigurimin e Depozitave për vetëdijesimin e publikut mbi Sistemin e Sigurimit të Depozitave në Kosovë.

Drejtoresha menaxhuese FSDK-së, Violeta Arifi – Krasniqi, tha se çdo sistem i sigurimit të depozitave themelohet për të përmbushur një ose disa qëllime. Ajo njoftoi se 9 banka janë anëtare të FSDK-së.

Arifi-Krasniqi, më tutje, theksoi se në Kosovë sistemi është themeluar që t’i ndihmojë Bankës Qendrore në stabilitetin financiar.

“Në Kosovë është themeltare të mbrojë… dhe të mbështesë Bankën Qendrore në sigurimin e sistemit stabil financiar. Një nga parakushtet që një sistem të jetë efektiv, duhet të këtë vetëdijesim të madh të publikut” tha Arifi Krasniqi.

Shkëndije Himaj – Zekaj, kryesuese e Bordit Menaxhues të FSDK-së, tha se në vitin 2011 kanë filluar me menaxhimin e 8 milionë eurove, ndërsa tani kanë arritur në 34 milionë euro.

“Meritore për zhvillimin e FSDK-së është edhe Banka Qendrore dhe fondi zhvillimor gjerman, KFW. Kjo përkrahje nuk ka qenë me automatizëm, por gradualisht i ka ofruar mundësi FSDK-së që të zhvillohet në institucion kredibil. Komunikimi i qartë dhe i vazhdueshëm është parim bazë , në mënyrë që t’i mbrojmë depozituesit dhe të kontribuojmë në stabilitetin financiar”, deklaroi Himaj-Zekaj.

Në anketën e realizuar nga FSDK, 48% e të anketuarve mendojnë se llogaritë e depozitave të afatizuara janë të siguruara, 45% prej tyre mendojnë se llogaritë e kursimeve janë të siguruara.

50% e të anketuarve mendojnë se depozitat në Kosovë përfshijnë të gjitha valutat.

FSDK është fondacion, i cili është themeluar për t’i kompensuar depozitat. Ajo siguron personat fizik dhe juridik, raporton Ekonomia Online.

Të ngjashme