Kryetari i ri i Odës Ekonomike bën thirrje për dialog të institucioneve me bizneset, që kriza të tejkalohet sa më me pak pasoja

Prishtinë | 27 Gus 2022 | 08:20 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se synon të jetë partner konstruktiv i të gjitha institucioneve, përfshirë Kuvendin, Qeverinë dhe Presidencën.

Ai beson se një bashkëpunim i mirëfilltë me institucionet e vendit është në të mirën e bizneseve dhe zhvillimit ekonomik.

Megjithatë, Rafuna i cili e mori detyrën më 14 korrik në krye të organizatës që ka mbi 15 000 anëtarë nga komuniteti i biznesit në vend, e pranon se ende nuk është pritur në takim nga asnjëri prej bartësve të institucioneve apo ministrat e dikastereve ekonomikë.

Ai tregon se ka kërkuar takim me presidenten Vjosa Osmani, kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti dhe pret që t’i realizojë ditëve në vazhdim.

“Me marrjen e detyrës time kam deklaruar që Oda Ekonomike e Kosovës do të jetë partner konstruktiv i te gjitha institucioneve të vendit, duke përfshirë edhe Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën. Një partner i cili do të ndihmojë të gjitha institucionet e vendit në arritjen e qëllimit strategjik për zhvillimin ekonomik të vendit dhe një mirëqenie më të mirë sociale. Nuk kam dyshimin me të vogël që ne si Odë Ekonomike do të kem një bashkëpunim të shkëlqyeshëm”.

“Unë duke përfill kërkesat ligjore që dalin nga ligji i Odës, por edhe nga protokolli i shtetit, tani kam ushtruar kërkesë për takim në presidencë dhe shumë shpejt kërkesat do t’u përcjellë edhe te kryeparlamentari dhe kryeministri i vendit. Unë kam besim që së bashku me të gjitha institucionet do të punojmë për të mirën e biznesit dhe zhvillimit ekonomik”.

Sipas tij, Oda Ekonomike e Kosovës ka nevojë te ngritet në një nivel tjetër duke përfaqësuar dhe mbrojtur kërkesat e biznesit.

“Funksionimi i Odës Ekonomike deri më tani ka qenë duke u bazuar në ligjin e themelimit të Odës Ekonomike. Oda Ekonomike ka nevojë që të ngritet në një nivel tjetër. Në mandatin tim Oda Ekonomike komplet do ta ndërrojë mënyrën e veprimit që ne do të lobojmë do të përfaqësojmë kërkesat e biznesit, por edhe t’i mbrojmë ato në atë kuptimin që do të jemi kërkues kundrejt institucioneve të vendit që do ndikojnë për thithjen e investimeve të huaja në Kosovë. Kemi listë të tërë të bizneseve”.

Rafuna theksoi se te gjitha bizneset janë duke u përballur me sfida të mëdha që nga koha e pandemisë e deri tani me çështjen e reduktimit të energjisë elektrike.

Me një dialog publiko-privat me Qeverinë dhe Kuvendin, Rafuna është i bindur se do të gjejnë zgjidhje që të ndihmojnë bizneset për t’i tejkaluar këto sfida, raporton EO.

“Bizneset tona janë duke u përballë me sfida të ndryshme. Sfida e parë ka qenë që kanë qenë të mbyllur gjatë pandemisë dhe mbijetesa mbas pandemisë. Tani shqetësim është çështja e reduktimit të energjisë elektrike”.

“Dhe pritjet tona janë që me një dialog publiko-privat me qeverinë dhe kuvendin jemi të bindur që do t’i gjejmë zgjidhjet më të mira që ta ndihmojnë biznesin t’i tejkalojë sa më pak pasoja këto sfida”.

Oda Ekonomike Kosovës (OEK) është organizatë e themeluar në vitin 1962 nga Kuvendi i Kosovës.

OEK-u është organizatë e pavarur, jopolitike dhe jofitimprurëse. Është institucioni i vetëm i biznesit i themeluar me ligj dhe veprimtaria e OEK-ut zhvillohet mbi bazën e këtij Ligji (Ligji mbi Odën Ekonomike të Kosovës 2004/7) i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, raporton ekonomiaonline.

Në mision, Oda Ekonomike e ka analizimin e gjendjes ekonomike në vend dhe propozimin e formave të reja e të avancuara të biznesit vendor.

Lulzim Rafuna ka qenë drejtor i Doganës së Kosovës, ish-zëvendësministër dhe pastaj ministër i Financave në Qeverinë e Kosovës, ka qenë këshilltar i kryeministrit shqiptar Edi Rama etj.

Të ngjashme