Rafuna: Nëse Ligji për Paga nuk shkon në Kushtetuese, pagat dalin me rritje

Prishtinë | 04 Dhj 2019 | 15:48 | Nga Bashkim Bekolli Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ligji për Paga ka hyrë në fuqi i cili rregullon pagesën e të punësuarve që marrin paga nga buxheti i shtetit.

Por mbi 60 mijë punëtorë ende nuk e kanë të sigurt që në fund të dhjetorit do t’i marrin pagat me rritje.

Lulëzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave, në një intervistë për Ekonomia Online tha se Ligji për Paga ka hyrë në fuqi nga 1 dhjetori dhe se të gjithë të punësuarit në sistemin publik të vendit do të marrin pagat me rritje.

Por Rafuna thotë se nëse Avokati i Popullit vendos që ta dërgojë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, atëherë do të kthehet në implementim ligji i vjetër, duke siguruar që të gjithë punonjësit shtetërorë do të marrin pagat por pa rritje.

“Të gjithë shërbyesit publikë që marrin paga nga buxheti i shtetit në fund të muajt dhjetor do t’i marrin pagat sipas Ligjit të ri derisa ky është në fuqi. Ligji ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor dhe deri me sot ky ligj është në fuqi dhe nuk kemi asnjë njoftim zyrtar që ligji nuk është në fuqi”.

“Në rast se ndodh që Avokati i Popullit ta dërgon në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo gjykatë sjell ndonjë aktvendim me të cilin do ta pezullojë një pjesë të tij apo në tërësi ligjin, atëherë do të veprojmë konform këtij vendimi të Kushtetueses”.

“Mirëpo deri sa nuk kemi ndonjë njoftim zyrtar dhe një aktvendim të tillë nga Kushtetuesja ose njoftim nga Avokati i Popullit ne do ta implementojmë ligjin që ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor”, thotë ai, raporton EO.

Ndërsa shtoi se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura që mundësojnë implementimin e plotë të ligjit.

Megjithatë thotë se çfarë do vendimi që të merret qoftë edhe nga Gjykata Kushtetuese ata do ta respektojnë

“Ne si ministri e Financave nuk e kemi kompetencën që ta vlerësojmë vendimin e Kushtetueses. Si ministri ne do ta implementojnë Ligjin ashtu siç e ka votuar Kuvendi i Kosovës dhe i kemi bërë të gjitha përgatitjet, i kemi sjell aktet nënligjore dhe shumë shpejt do t’i dërgojmë edhe në qeveri në mënyrë që të fillohet implementimi i këtij ligji ashtu siç parashohin dispozitat e këtij ligji. Kështu që të gjithë zyrtarët publikë që marrin pagat nga buxheti i Republikës i Kosovës pagat do t’i marrin qoftë me ligjin e ri deri sa ky është në fuqi, por edhe në qoftë se shfuqizohet nga Gjykata Kushtetuese edhe në këtë rast asnjë zyrtarë publikë s’do të jetë pa pagë, për arsye që do t’i marrin konform ligjit para se me hy i riu”, thotë ai.

Të ngjashme