Reagim lidhur me vendimet e Qeverisë për alokim të mjeteve të paparashikuara buxhetore

Prishtinë | 16 Nën 2018 | 13:28 | Nga Ekonomia Online

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka analizuar alokimin e mjeteve financiare nga Qeveria prej fillimit të mandatit të saj në shtator 2017 deri në shtator 2018 – që përbën vitin e parë të mandatit të Qeverisë. Përgjatë këtij viti, Qeveria alokoi afërsisht 4 milion euro mjete financiare për kërkesa që objektivisht duken të pabazuara në kritere të qarta dhe të lejuara ligjore. Sipas nenit 29 të Ligjit për Menaxhim të Financave Publike kërkohet qartësisht që për vendime të financimit të shpenzimeve të paparashikuara në Ligjin për Buxhetin, në planet vjetore të prokurimit publik, apo në çështjet që janë të natyrës ditore të funksionimit të institucionit përkatës të plotësohen së paku tre kritere:

  1. a)Çështja për të cilën kërkohet alokim i paparashikuar duhet të jetë urgjente;
  2. b)Kërkesa të parashtrohet nga një organizatë përkatëse buxhetore pranë Ministrit të Financave, i cili pastaj do të duhej që, nëse e vlerëson të arsyeshme dhe në respekt me kriteret ligjore, t’ia propozojë atë Qeverisë për miratim;
  3. c)Që një kërkese të këtë mbështetje për fonde të paparashikuara, në kuptim të këtij neni, ajo duhet që: të ketë rrethana të paparashikuara që e bën të nevojshme alokimin e këtyre fondeve, të ketë një analizë të qartë se si ndikon një vendim i tillë në raport me qëllimin e organizatës buxhetore që e bën një kërkese të tillë, dhe që të jetë argumentuar se çfarë rezultati do të arrihet me një intervenim të tillë buxhetor.

GLPS ka vërejtur që në një vit mandati të Qeverisë ajo ka ndarë afërsisht 4 milion euro mjete financiare të cilat nuk respektojnë procedurën dhe arsyeshmërinë e kërkuar në nenin 29 të Ligjit për Menaxhim të Financave Publike.

GLPS i kërkon Qeverisë që të mos ushtroj më në të ardhmen një formë të tillë të ndarjes së mjeteve financiare të paparashikuara pa u bazuar në kriteret e lartëpërmendura ligjore dhe arsyeshmërinë e plotë të saj për të adresuar një çështje “urgjente”. Një precedent i tillë i Qeverisë rrit tutje konceptin e klientelizmit për shkak që lejon shfrytëzimin e një diskrecioni në kundërshtim me parashikimet e qarta që duhet të bëhen në Ligjin për Buxhetin. Për më tepër, një gjë e tillë cënon thellësisht menaxhimin me integritet të financave publike, dhe respektin për parimet e shpenzimit të parasë publike që Kosova i ka ndërmarrë me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Gjithashtu, i bëjmë thirrje Qeverisë të mos shndërrohet në zyrë të pranimit të kërkesave individuale për mbështetje që nuk adresohen në mënyrë të përgjegjshme në ministritë përkatëse të fushës, dhe të mos lejoj që Ministria e Financave ta humb funksionin e saj ligjor të menaxherit të kornizës buxhetore në mënyrë uniforme për të gjitha organizatat buxhetore.

Kosova duhet që të ndërtoj një kulturë të përgjegjshme të shpenzimeve buxhetore, në të cilën çdo subjekt është i barabartë dhe i padiskriminuar në raport me paranë publike, dhe ku prioritetet përcaktohen dhe parashikohen në mënyrë të qartë dhe bazuar në kritere objektive dhe jo interesa partiake e klienteleske.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme