“Rec Plast” inauguroi linjën e re për mbeturinat e riciklueshme nga plastika

Pejë | 08 Sht 2017 | 11:41 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

“Rec Plast” inauguroi linjën e re për grumbullim dhe përpunim e mbeturinave të riciklueshme nga plastika.

“Rec Plast” merret me shërbime të grumbullimit të mbeturinave të riciklueshme të plastikës, të cilat më pas përpunohen në granulate dhe në produkte të tjera, por edhe bluhen për t’u eksportuar.

Fazqet Krasniqi, pronar i kompanisë, tha se “Rec Plast” bashkëpunon me një rrjet të gjerë të grumbulluesve dhe me biznese të tjera që kanë nevojë për shërbimin apo produktet e saj.

“Zgjerimi për kompaninë ‘Rec Plast’ ka ndodhur në kohën e duhur. Tani kemi filluar edhe me ofrimin e shërbimeve të përhershme të grumbullimit të mbeturinave plastike përmes kontejnerëve të vendosur në pika strategjike në qytet, por edhe në zonat tërheqëse turistike të rajonit tonë,” tha Krasniqi.

Për këto arritje, Krasniqi vlerësoi përkrahjen nga Komuna, Organizata për Menaxhimin e Destinacionit Pejë dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.

“Përgjatë dy viteve pres të krijojmë së paku 40 vende pune të reja me kohë të plotë. Koncepti ynë synon gjithashtu të menaxhojë si duhet grumbullimin e mbeturinave të riciklueshme dhe të reduktojë ndotjen e mjedisit. Është vërtet kënqësi kur shoh banorët që kanë filluar të përkujdesen seriozisht që mbeturinat plastike t’i hedhin në kontejnerët e përcaktuar. Kështu fillon ndryshimi për të mirë”.

Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, tek sa ka uruar Krasniqi, ka thënë se ai pa  ndihmën e askujt ka ngritur këtë ndërmarrje e cila edhe punëson njerëz edhe ndikon në mbajtje të ambientit të pastër.

Ndërsa Arxhentina Grazhdani, menaxhere e projektit nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, tha se kjo fabrikë po ndihmon këto rajon me punësimin e të rinjve një çështje e cila është shumë e rëndësishme për Kosovën.

“Në emër të qeverisë zvicerane falënderojë kryetarin e komunës për për partneritetin gjatë katër viteve të implementimit të projektit tonë. Shpresojmë që ndërmarrës si Krasniqi të kemi sa më shumë nëpër Kosovë. Faktikisht Kosovës tonë i duhen ide të tilla sepse një investim i tillë jo vetëm qe pastron natyrën por edhe punëson njerëz”, tha ajo.

Me vendosjen e kontejnerëve për grumbullimin e mbeturinave të riciklueshme plastike, “Rec Plast” sjell konceptin inovativ të klasifikimit të mbeturinave në pikën e origjinës, por edhe ka ndikim afatgjatë në rritjen e vetëdijesimit tek banorët dhe vizitorët për ruajtjen e mjedisit dhe në sensibilizimin e tyre për llojet e mbeturinave që mund të rikthehen në përdorim pas riciklimit.

Të ngjashme