Reçica në Tiranë hedh hapa drejt unifikimit të tregut të punës

Prishtinë | 02 Sht 2020 | 14:15 | Nga Ekonomia Online

Në prag të mbledhjes së radhës së dy qeverive, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë, sot, ministri i MPMS-së, Skender Reçica, bashkë edhe me ambasadorin tonë në Shqipëri, Nait Hasani, u takuan me ministren e Financave dhe Ekonomisë të Republikës së Shqipërisë, Anila Denaj, për të intensifikuar edhe më tej veprimet e nevojshme në rrugëtimin e nisur që moti, për lehtësimin e jetës së qytetarëve tanë.

Ministri Recica dhe ministrja Denaj u dakorduan për arritjen e marrëveshjes së mobilitetit në punë, marrëveshje kjo e cila ua mundëson qytetarëve të vendeve tona të kenë mundësi të barabarta punësimi, arsimi dhe aftësimi profesional, anekënd hapësirës sonë gjeografike, pavarësisht vendit prej nga vijnë. Në këtë kuptim, ne po afrojmë edhe më shumë Vlorën me Podujevën, shkodranët me pejanët dhe po ashtu, gjilanasi në Elbasan të ndihet elbasanas, theksoi ministri Recica.

Kuadrot e të dyja vendeve me arritjen e kësaj marrëveshje do të shfrytëzojnë tregun e përbashkët të punës, i cili do të jetë i integruar në vetëm një treg pune. Rëndësia e integrimit të së cilit është që dy vendet tona të plotësojnë vendet e lira të punës, të cilat kërkojnë kuadro në bazë të nevojave të tregut. Me këtë marrëveshje do të mundësohet mbulimi i këtij boshllëku duke ofertuar fuqinë punëtore me përgatitjen profesionale sipas nevojave të tregut të punës të të dy vendeve tona.

Gjithashtu, me ministren Denaj, u ra dakord që pas arritjes së kësaj marrëveshje, na duhet ta realizojmë edhe marrëveshjen për sigurime sociale, që qytetarët tanë mos të humbasin kontributet e tyre dhe të bashkojnë periudhat e kontributeve nga secili vend që kanë punuar. Pra, qytetarët tanë do të përfitojnë nga sigurimet shoqërore duke zgjedhur të jetojnë ku ata dëshirojnë, në Kosovë apo në Shqipëri.

Ministri Reçica theksoi se, me arritjen e këtyre dy marrëveshjeve Kosova dhe Shqipëria do të jenë gjithnjë më afër Bashkimit Evropian, për faktin se po jetësojnë një pjesë të procesit të Berlinit, por mbi të gjitha me këto marrëveshje do të jemi më pranë njëri-tjetrit.

Të ngjashme