Reçica paralajmëron nënshkrimin e marrëveshjes me Zvicrën për sigurimet sociale

Prishtinë | 25 Jan 2018 | 16:37 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës lidhur me sigurimet sociale do të nënshkruhet në fund të muajit mars, ose në fillim të prillit.

Kështu bëri të ditur ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Marrë për bazë pyetjet e shpeshta që kam pranuar së fundi lidhur me Marrëveshjen Ndërshtetërore për Sigurime Sociale mes Kosovës dhe Zvicrës, më lejoni të ju informoj rreth disa detajeve, të cilat i kam paraqitur edhe sot në Seancën Parlamentare para deputetëve”, tha ai, para deputetëve.

“Dëshiroj të ju informoj se Marrëveshja Bilaterale për Sigurime Sociale, ende nuk është nënshkruar. Grupet teknike që kanë qenë të emëruara për negocimin e marrëveshjes për sigurime sociale në mes të Kosovës dhe Zvicrës, kanë përfunduar draftin final të marrëveshjes për sigurime sociale, pastaj marrëveshjen administrative për zbatimin e marrëveshjes për sigurimet sociale dhe janë pajtuar për formën e formularëve që do të përdoren për shkëmbimin e të dhënave të kërkuara nga të dyja palët, praktikisht, individët që parashtrojnë kërkesat”.

“Për të gjitha këto veprime, ekzistojnë procesverbalet në të gjitha fazat e negocimit, deri në përmbylljen e bisedimeve. Për informimin tuaj, më datë 1 qershor të vitit 2017, ka pasur vetëm nënshkrim të teksteve finale të draftit të marrëveshjes së përgjithshme dhe draftit final të marrëveshjes administrative dhe këto janë nënshkruar nga kryesuesit e grupeve teknike të të dy delegacioneve, pas përfundimit të negociatave”, theksoi Reçica.

“Për informimin e të gjithë qytetarëve, për këtë çështje mjaft të rëndësishme, ju informoj se nga ana jonë si Qeveri nuk është shkaktuar asnjë vonesë. Personalisht, me të marrë detyrën si Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, kam qenë dhe jam në kontakt të vazhdueshëm më autoritetet zvicerane dhe me ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jean Hubert Lebet”.

“Ju informoj se dje kam pasur komunikimin e fundit me ambasadorin dhe në bazë të informatave që kam marrë nga autoritetet zvicerane, së shpejti do ta kemi datën për nënshkrimin e kësaj marrëveshje ndërshtetërore”.

“Shpresojmë që kjo të ndodhë nga fundi i muajit mars, përkatësisht, fillimi i muajit prill dhe vetëm pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, do të dërgohet për miratim në parlamentet respektive”, ka shpjeguar Reçica.

Të ngjashme