“Reciprocitet përmes CEFTA-s ndaj Serbisë”

Prishtinë | 07 Nën 2019 | 16:42 | Nga Ekonomia Online

Çdo masë që Serbia ka vendosur në raport me Kosovën, si kundërpërgjigje mund të ketë vendosjen e masave reciproke nga Kosova në raport me Serbinë. Kështu kanë paralajmëruar dy partitë që aktualisht janë në bisedime për formimin e Qeverisë së ardhshme të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, si partia e dytë.

Masat e reciprocitetit, sipas këtyre dy partive politike, do të mund të zëvendësojnë taksën 100 për qind, të cilën Qeveria në largim e Kosovës e ka vendosur që nga nëntori i vitit 2018 ndaj të gjitha importeve nga Serbia, por edhe nga Bosnjë e Hercegovina.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili është edhe kandidati për kryeministër të Kosovës, tashmë disa herë ka deklaruar se është i gatshëm që taksën 100 për qind të zëvendësojë me masat e reciprocitetit.

Këto masa, sipas tij, do të përfshijnë veprimet e njëjta të Kosovës në raport me Serbinë karshi tregtisë me mallra, certifikatave të prodhimit të mallit, targave të automjeteve, qofshin për qarkullimin e udhëtarëve apo të mallrave, diplomave universitare, shpedicionin e kështu me radhë.

Sytrime Dervisholli, drejtoreshë në Departamentin e Tregtisë në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se, as tarifa, as reciprociteti nuk janë të mirëseardhura në tregtinë ndërmjet shteteve.

Por, në momentin, siç thotë ajo, që një shtet fillon të ndryshojë sjelljen ndaj shtetit tjetër, me të cilin ka marrëdhënie kontraktuale tregtare, siç ka Kosova me disa vende të rajonit përmes Marrëveshjes për Tregti të Lirë me vendet e Evropës Qendrore (CEFTA), atëherë është e lejueshme që të njëjtat masa të zbatohen edhe nga shteti që është dëmtuar.

“Reciprociteti duhet të zbatohet vetëm në ato raste, kur njëri vend bën një trajtim ndryshe ndaj një vendi tjetër. Për shembull, po e ilustroj, Serbia dhe Bosnja Hercegovina ushtrojnë praktika të padrejta tregtare ndaj Kosovës, atëherë edhe Kosova mund të bëjë një gjë të tillë. Gjithmonë po flas sipas praktikave ndërkombëtare. Serbia nuk i njeh targat e automjeteve të Kosovës, gjithashtu nuk njeh edhe dokumentet tregtare, pra ato të udhëtimit, atëherë edhe Kosova mund të aplikojë të njëjtin veprim ndaj shteteve të apostrofuara”, shpjegon Dervisholli.

Në anën tjetër, përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertë për çështje ekonomike, japin vlerësime të ndryshme rreth aplikimit të masave, qoftë tarifore ose reciproke.

Drejtori ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, Arian Zeka, thotë se pengesa të shkëmbimeve tregtare në mes vendeve të rajonit ekzistojnë, por ai thekson se çdo barrierë tarifore ose jotarifore është në kundërshtim me frymën ose zotimet që Kosova ka ndërmarrë me nënshkrimin e Marrëveshjes për Tregti të Lirë.

“Thirrja e Odës Ekonomike Amerikane karshi Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Qeverisë së Kosovës ka qenë që t’i shfrytëzojë këta mekanizma në kuadër të marrëveshjes CEFTA, që parashohin zgjidhjen e çfarëdo kontesti tregtar në mes palëve nënshkruese të marrëveshjes”, thotë Zeka.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme