Vizat nga Bosnja pengesë për tregtinë rajonale

Prishtinë | 06 Kor 2016 | 14:32 | Nga

Me ftesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, një delegacion i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), përfaqësoi komunitetin e biznesit të Republikës së Kosovës në Samitin e Parisit për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Po ashtu, OEK-u së bashku me odat ekonomike të vendeve të tjera të rajonit, ishte pjesëmarrëse në Forumin Ekonomik të kompanive franceze dhe vendeve të tjera evropiane me ministrat ekonomisë dhe përfaqësuesit e sektorit privat nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, në fjalën e tij të rastit të mbajtur në këtë forum, në emër të të gjitha odave tjera të vendeve rajonit, ritheksoi edhe njëherë angazhimin e odave ekonomike dhe të sektorit privat për të kontribuar në procesin e integrimit ekonomik, bashkëpunimit rajonal dhe në përgjithësi ndërtimit të paqes dhe mirëqenies në rajon.

Por në të njëjtën kohë ai shprehi shqetësimin me atmosferën e krijuar pas votës së Britanisë së Madhe për t’u larguar nga Bashkimi Evropian, sidomos me rritjen e skepticizmit për zgjerim të mëtutjeshëm të Bashkimit Evropian dhe ndikimit të mundshëm të thirrjeve populliste për izolim të mëtutjeshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në margjina të Samitit u organizua edhe Forumi Investiv i Odave Ekonomike, ku një ndër rekomandimet kryesore të konkluzave të përgjithshme, është thirrja për autoritetet e Bosnjës për eliminim të menjëhershëm të regjimit të vizave me Kosovën, si një ndër pengesat më absurde dhe shumë të dëmshme për zhvillimin e tregtisë dhe bashkëpunimin rajonal në përgjithësi.

Krahas aktiviteteve të lidhura më Samitin e Parisit, delegacioni i Odës Ekonomike të Kosovës, me pjesëmarrje edhe të drejtorit të Doganave, Lulzim Rafuna, u takua me udhëheqësit e ICC-së (Odës Ekonomike Ndërkombëtare), me të cilët u diskutua mundësia që ICC të ndihmojë në krijimin e mundësive që Kosova të këtë ATA Carnet sistemin. Delegacioni i OEK-ut u njoftua për pranimin në Federatën e Odave Ekonomike Ndërkombëtare.

Të ngjashme