Rozeta Hajdari paralajmëron kontroll më rigoroz të tregut të naftës

Prishtinë | 09 Mar 2022 | 13:10 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, ka paralajmëruar kontroll më rigoroz të tregut të naftës në Kosovë, pas ngritjes së madhe të çmimit të naftës në Kosovë dhe ankesat e Shoqatës së Naftëtarëve kundër një vendimi të Qeverisë që përcakton marzhë fitimi deri në 6 për qind për naftëtarët, raporton Ekonomia Online.

Në konferencë për shtyp pas mbledhjes së Qeverisë, Hajdari ka thënë se ankesat e naftëtarëve kanë qenë se s’ka naftë në stoqe, por sipas saj kjo s’qëndron. Ajo ka thënë se s’ka bllokadë për furnizim me naftë në vend dhe se s’e konsideron fer shitjen me çmim të ri të naftës që është importuar me çmim shumë më lirë kohë më parë.

“Ne jemi shtet që importojmë 90 për qind. Pra siç e tha edhe kryeministri ne s’mund t’i kontrollojmë por mund të marrim masa dhe kemi nisur, duke nisur nga nafta. Duke ditur se mund të ketë devijime të çmimeve në treg, përmes bashkëpunimit të Autoritetit të Konkurrencës tash do të identifikojmë marrëveshjet e përbashkëta të tregtarëve e produkteve në treg sepse nganjëherë thonë se s’kemi stoqe, por jam në vëmendje të afërt të shteteve të rajonit për të parë a kemi mundësi apo bllokadë për furnizim me naftë”, ka thënë ajo.

“Kemi dëgjuar se naftëtarët duan të ndryshojnë marzhën sepse sipas tyre dëmtohet shitësi me pakicë më shumë se ai me shumicë. Po i analizojmë stoqet dhe mundësitë e furnizimit që i kanë tani. Është rrugë e lirë nga Shqipëria dhe Maqedonia. Ndoshta kishte ngadalësim, por me këto shtete ne jemi siguruar që s’ka vend për t’u shqetësuar e për të manipuluar në treg se s’ka stoqe. Ne jemi në kujdes për qytetarin, për biznesin dhe shtetin. Duke pas interesin e qytetarëve që një biznes mund të shkojë në marzhë të lartë fitimi, dhe përmenda ngritjen e çmimit të berzës dhe kalkulimet jo nga çmimi i furnizimit, por nga i sotëm, kemi ardhur te marzha 4-6 dhe që tash është në rishqyrtim për të parë zbatimin dhe se si do të shkojë. Do të shtoj masat e kontrollit për zbatimin e këtij vendimi. I kam lënë disa ditë hapësirë analizës së stoqeve dhe pastaj do të veprojmë”, ka thënë tutje ajo.

Tutje ministrja Hajdari ka thënë se nuk po e kupton nga po vjen paniku tek qytetarët për mungesën e grurit dhe furnizimit me miell, pasi Rusia filloi agresionin ndaj Ukrainës, raporton Ekonomia Online

Hajdari tha se pavarësisht se Ukraina është ndër shtetet që eksporton më së shumti grurë, Kosova sipas saj s’është e varur nga gruri i këtij shtetit.

Kjo pasi sipas saj, Kosova s’ka importuar grurë nga Ukraina.

“Nuk e di pse po vjen ky panik, kur nuk ka rrezik për mbyllje të kufijve dhe të stoqeve. Nuk është e mirë se çfarë ka ndodhur. Ky panik qe vjen nuk e di pse po vjen kur nuk ka rrezik për mbyllje të kufijve she stoqeve. Ndoshta për grurin, Ukraina njihet si një prej shteteve që eksporton më shumë grurë, por Kosova nuk ka eksportuar nga Ukraina, pra nuk lidhet direkt nga Ukraina. Kemi edhe shtete të tjera mike si Kroacia, Italia, Bullgaria, Turqia nga edhe ku marrim grurë”, tha ajo.

Më tutje, Hajdari deklaroi se janë duke punuar që Kosova të ketë mjaftueshëm në rezervat e saj grurë dhe miell.

“Jemi në kontakt edhe me ministren e MPDJ-së, me ambasadat dhe me homologët tanë me të cilët bisedojnë dhe nëse ata e ndalin eksportin për disa produkte me marrëveshjet ndërministrore e lejojnë Kosovën që të rrisë mundësinë e stoqeve dhe rezervave shtetërore në këtë rast”, tha ajo.

Të ngjashme