Rritet deficiti tregtar i Kosovës

Prishtinë | 02 Kor 2018 | 09:04 | Nga

Kosova ka shënuar rritje të deficitit tregtar në muajin maj të vitit 2018 mbi 13 për qind më shumë krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, e cila i ka publikuar këto rezultate, vlera e deficitit është rritur nga 145 milionë, sa ishte vitin e kaluar, në rreth 280 milionë euro. Njohës të ekonomisë thonë se për ta ulur këtë trend, duhet të ndryshohen politikat shtetërore të ekonomisë.

Muaji maj i vitit 2018 ka shënuar rritje të deficitit tregtar prej mbi 13 për qind, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak, transmeton televizoni publik raportin e Agjencisë Statistikave të Kosovës.

Sipas ASK-së, rritja e importit tregtar në këtë periudhë i ka shkaktuar shpenzime buxhetit të vendit rreth 280 milionë euro, krahasuar me vitin 2017 kur këto shpenzime ishin rreth 245 milionë euro.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha për Radio Kosovën se për këtë rezultat të deficitit tregtar, problemi qëndron te politikat shtetërore të cilat më shumë merren me problemet politike se sa ato ekonomike në vend.

Ai tha se kjo gjendje duhet të analizohet në disa dimensione.

“Në dimensionin ekonomik është e pamundur që duke eksportuar para të gatshme të kemi stabilitet ose qëndrueshmëri ekonomike, në aspektin social është e pamundur nëse eksportohen para të gatshme të krijohen vende të reja të punës, dhe nga dimensioni integrues është e pamundur të jemi pjesë e proceseve integruese nëse edhe më tutje agjenda politike është ajo që e karakterizon integrimin dhe jo aspekti integrues përmes ekonomisë.”

Gërxhaliu tha se kjo gjendje i ka shkaktuar shumë dëme edhe bizneseve dhe prodhuesve vendorë.

“Ekonomia kosovare po tkurret, jemi shumë më keq se që kemi qenë disa vite përpara në fusha të ndryshme, dhe ajo që mua dhe Odën Ekonomike na brengosë është se, derisa në Kosovë kemi rritje të importeve dhe tkurrje të eksporteve, janë vendet e rajonit, qoftë Shqipëria, qoftë Maqedonia, Mali i Zi apo Serbia, që janë duke pasur rritje enorme të eksportit në vende të ndryshme të rajonit.”

Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin maj 2018 arritën në 85.5 milionë euro, ose 27.5% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 13.9%.

Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (12.6%), Shqipëria (6.5%), Maqedonia (5.0%) dhe Bosnja e Hercegovina me (2.9%).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme