Rritet tensioni tregtar BE-Kinë

Prishtinë | 08 Pri 2019 | 12:51 | Nga Ekonomia Online

Evropa ka mprehur qëndrimin politik ndaj Kinës, duke konsideruar për herë të parë, Pekinin si një rival sistematik.

Në një komunikim strategjik që përcaktoi dhjetë propozime për trajtimin e Pekinit, Komisioni Evropian gjithashtu kritikoi vende të tilla si Italia, pasi kishin krijuar lidhje të ngushta me programin historik të Kinës “Një Brez, Një Rrugë”, i cili promovon tregtinë kineze përmes infrastrukturës që kalon nga Azia në Evropë.

Siç shkruan Politico, duke iu larguar qasjes së saj të zakonshme ndaj Pekinit, BE-ja e quajti Kinën “një konkurrent ekonomik në ndjekje të lidershipit teknologjik dhe një rivale sistematike që promovonte modele alternative të qeverisjes”. Ky ton i ashpër në Bruksel përkon me planet franko-gjermane, për të pasur një strategji evropiane industriale më mbrojtëse, të mbështetur nga sektorët kryesorë evropianë, duke filluar nga telekomi deri në inxhinieri.

Në një shenjë se Berlini po e ndikon fuqishëm strategjinë, lobi kryesor i biznesit të Gjermanisë (BDI), gjithashtu kohët e fundit ka filluar të përshkruajë Pekinin si një “konkurrent sistematik”.

“Në Evropë ka një vlerësim më të madh se ka ndryshuar balanca e sfidave dhe mundësive të paraqitura nga Kina. Në dekadën e fundit, fuqia ekonomike e Kinës dhe ndikimi politik janë rritur me shkallë dhe shpejtësi të pashembullt, duke reflektuar ambiciet e saj për t’u bërë një fuqi botërore”, tha Komisioni në një deklaratë.

Gjuha e BE-së tregon një ndryshim të dukshëm të strategjisë. Strategjia e fundit BE-Kinë, e miratuar rreth tre vjet më parë, ishte e kujdesshme në kritikat e saj ndaj praktikave tregtare të Kinës, siç janë blerjet strategjike të prodhuesve kryesorë të teknologjisë evropiane si pjesë e strategjisë “Made in China 2025”.

“Ajo që duam, është të shmangim përfundimin në një situatë ku ne jemi të detyruar të konkurrojmë me subvencionet publike. Ne besojmë në ekonominë e tregut social dhe nuk jemi në favor të ekonomisë së subvencionuar”, tha zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Jyrki Katainen.

Sipas eurodeputetes holandeze, Marietje Schaake, thotë se në mungesë të një strategjie evropiane, Kina ka arritur të fusë një këmbë në derë në shumë kryeqytete evropiane.

“Në mungesë të një strategjie evropiane, Kina ka arritur të fusë një këmbë në derë në shumë kryeqytete evropiane. Kina është e aftë të vërë vendet evropiane kundër njëri-tjetrit. Për shembull, investimi kinez në një port të Greqisë i mundëson të bllokojë një qëndrim të përbashkët të BE mbi të drejtat e njeriut në Kinë”, tha Katainen.

Ditë më parë, Komisioni i Tarifave Doganore pranë Këshillit të Shtetit të Kinës vendosi pezullimin e tarifave doganore shtesë ndaj automjeteve dhe pjesëve të këmbimit të prodhuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme