Rritet tregu i letrave me vlerë

Prishtinë | 10 Kor 2016 | 12:34 | Nga

Sipas kalendarit të publikuar nga Ministria e Financave, gjatë TM1 2016 janë mbajtur 6 ankande për emetimin e letrave me vlerë, në vlerë të shpallur nominale prej 120.0 milionë euro.

Ndërsa, vitin e kaluar janë mbajtur gjithsej 5 ankande ku u emetuan letra me vlerë në vlerë nominale prej 100.0 milionë euro.

“Gjatë TM1 2016, qeveria e Kosovës ka emetuar numër dhe vlerë më të vogël të bonove të thesarit krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Numri i bonove të thesarit të emetuara ishte 3 (4 deri në TM1 2015), krahas rënies në numër emetimi i bonove të thesarit shënoi rënie edhe në vlerë, e cila u zvogëlua në 60.0 milionë euro (80.0 milionë euro në TM1 2015). Në anën tjetër, emetimi i fletëobligacioneve shënoi rritje në numër dhe vlerë gjatë TM1 2016 krahasuar me vitin paraprak.

Gjatë TM1 2016, u emetuan 3 fletëobligacione qeveritare në vlerë prej 60.0 milion euro (1 emetim në vlerë prej 20.0 milionë euro në TM1 2015).”, ka njoftuar BQK-ja. Sipas BQK-së, Struktura e letrave me vlerë të Qeverisë së Republikës së Kosovë, sipas afatit të maturimit, u karakterizua me ndryshime të theksuara gjatë viteve të fundit. Gjatë pesë viteve të fundit, letrat me vlerë me maturitet afatshkurtër kanë ndjekur trend të theksuar rënës kundrejt zgjerimit të theksuar të peshës së letrave me maturitet afatgjatë.

Kategoria kryesore në strukturën e letrave me vlerë edhe gjatë TM1 2016 vazhdon të mbetet ajo e bonove të thesarit me afat maturimi 364 ditë, pasuar nga fletëobligacionet me afat maturimi dy vite dhe fletëobligacionet qeveritare me afat maturimi tre vite.

“Një ndryshim i theksuar në strukturën e letrave me vlerë vërehet te pjesëmarrja e zvogëluar e bonove të thesarit me afat maturimi 91 ditë krahasuar me pesë vite më parë kur ato ishin kategoria e vetme e emetuar gjatë TM1 2016. Vlen të ceket se gjatë TM1 2016 nuk është emetuar asnjë bono e thesarit me afat maturimi 182 ditë, ndryshim i konsiderueshëm në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak ku kjo kategori përbënte 20.0 për qind të strukturës”, thuhet në raportin e BQK-së. Që nga themelimi i tregut të letrave me vlerë në vitin 2012, shuma e ofertuar nga pjesëmarrësit në shumicën e rasteve ka tejkaluar shumën e shpallur në ankande nga Departamenti i Thesarit në kuadër të Ministrisë së Financave.

Në TM1 2016, raporti në mes të shumës së ofertuar dhe asaj të shpallur në ankande ishte 2.65 herë më i lartë. “Ky raport është më i lartë krahasuar me vitin paraprak (1.89 herë deri në TM1 2015) kryesisht si rezultat i ofertimit më të lartë nga ana e pjesëmarrësve dhe reflekton interesimin e lartë të subjekteve pjesëmarrëse, kryesisht të sektorit bankar, për të investuar në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës”, thuhet në raportin e BQK-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme