Rritja e çmimeve në produktet bazë, Kurti: Pres që brenda 2 javëve MINT-i të më sjell përgjigjen

Prishtinë | 20 Kor 2022 | 12:26 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti tha se Qeveria duhet t’u përgjigjet me vendim konkret për ngritjen e çmimeve të larta të produkteve bazike, për të cilin u diskutua sot edhe në mbledhjen e qeverisë, raporton Ekonomia Online

Kurti theksoi se pret që brenda dy javëve t’i dërgohet një draft-projektligj nga MINT-i në mënyrë që të merret vendimi për t’u nxjerrë më pas në diskutim publik.

“Çmimet kur janë të papërballueshme për qytetarët, do të duhej të kenë edhe një përgjigje nga ana e institucioneve”, tha Kurti në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Përgjigjja e Ekzekutivit, Kurti tha se “së shpejti do të vie”.

Qeveria e shtoi në agjendën legjislative të këtij viti edhe Projektligjin për mbrojtjen e furnizimit me produkte themelore dhe Kurti tha se për dy javë pret që t’ia bëjnë gati draftin.

“Besoj se rreth dy javë kohë janë të mjaftueshme që Ministria të ma sjellë mua draftin e projektligjit përkatës”, tha Kurti.

Të ngjashme