Rritja e çmimeve po rëndon gjendjen ekonomike në vend

Prishtinë | 01 Dhj 2021 | 14:51 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Përfaqësues të bizneseve kanë shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me rritjen e çmimeve në shume sektorë, në një tryezë të organizuar nga Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në tryezën për ngritjen e çmimeve enorme tha se kanë ngritur çështjen për Ligjin e pagave.

“Është temë që na preokupon të gjithë neve në veprimtarinë ekonomike. Edhe rritja e pagave e forcon fuqinë blerëse. Tema si ngritja e çmimeve dhe Ligji i pagave duam t’i shtrojmë në fuqizimin e politikbërjes”, deklaroi Tahiri, raporton EkonomiaOnline.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, tha se rritja e çmimeve po e rëndon gjendjen ekonomike në vend.

“Ne si grup jemi të shqetësuar me këtë gjendje dhe do të mundohemi t’i japim vlerë kësaj çështje në Kuvend, që po rëndon gjendjen ekonomike në vend. Ne jemi për të dëgjuar kërkesat e juaja. Ne e dimë se tregjet vendor po përballen me rritje të çmimeve që nga hekuri, druri e produktet ushqimore. Kjo gjendje ka rënduar dukshëm shumë sektorë. Qeveria duket se është zënë në befasi dhe nuk është treguar e shkathtë në këtë situatë. Deri më tani kjo rritje e çmimeve po shihet e pa përballueshme për qytetarë.  Për momentin ky inflacion nuk është në gjendje shqetësuese. Në të ardhmen të goditurit nga ky inflacion janë të gjithë ata që paguhen me paga fikse. Roli parësor i qeverisë është të kujdesen për shtresa sociale. Ne duhet të mendojmë edhe për biznese”, deklaroi Lekaj.

Arian Vranica, nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës tha se janë ballafaquar me ngritje të çmimeve, sidomos të vajit e qumështit.

“Shoqata gjatë pandemisë ka pasur nevojë imediate. Tash edhe ngritja e çmimeve është problem. Kemi pasur rritje enorme të çmimeve prej 1%, si vajit dhe qumështit. Janë ato që kanë të bëjnë me shërbimin e ushqimit. Po shohim që masat po janë strikte për gastronom. Ka pas frikë për ngritjen e çmimeve sepse mund të ketë rënie të konsumit”, tha Vrainca.

Për kryetarin e Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, lëvizja e çmimeve po bëhet me hapa të paparashikueshëm, si pasojë e mungesës së prodhimit.

“Mungesa e prodhimit, kërkesa e konsumit janë arsye pse në Ballkan dhe Evropë po rriten çmimet. Punëtorët janë subvencionuar gjatë kohës së pandemisë me paga të larta. Ka mungesë të fuqisë punëtore në të gjitha korporatat e fuqishme. Ngritja e çmimeve do të vazhdojë derisa të kemi stabilitet të fuqisë punëtore” deklaroi Shahini, raporton EkonomiaOnline.

Kryetari i Shoqatës së Naftarëve, Fadil Berjani, shpresoi të votohet Ligji i naftës, dhe bëri të ditur se ka filluar rënie e lehtë e çmimit të naftës.

“Ligji i naftës ka kalu, shpresoj ta votoni sepse sektori i naftës e ka emrin e madh, po fitimi i vogël. Jemi më të lirë se Serbia, Bosnja e Hercegovina, dhe Shqipëria”, tha Berjani.

Ruzhdi Kurtishaj, kryetari i Shoqatës së Transportit mirëpriti nismën e AAK-së për të diskutuar telashet e bizneseve në kohën e rritjes së çmimeve.

“Të gjithë i dimë problemet e shumta që ka Kosova. Koordinimi i mirëfilltë i shoqatave është i nevojshëm për të pasur stabilitet. Të gjitha produktet në treg vijnë prej transportit dhe kemi ngritje të çmimeve të biletave të udhëtimit. Mendoj që transportuesit e Kosovës nuk kanë pasur përkrahje as në qeverinë Hoti dhe Kurti. Janë 200 milion euro që akoma nuk janë shpërndarë në sektorë të transportit e gastronomisë”, bëri të ditur Kurtishaj.

Këto komente u bënë në tryezën e organizuar nga Grupi Parlamentar i AAK-së me temën “Ngritja enorme e çmimeve dhe jostabiliteti ekonomik”./EkonomiaOnline/

Të ngjashme