Rritja ekonomike në vitin 2019 do të jetë 4.7%, deputetët të shqetësuar për rritjen e shpenzimeve

Prishtinë | 21 Nën 2018 | 10:40 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Financave Bedri Hamza tha se rritja ekonomike për vitin 2019 do të jetë 4.7%, raporton Ekonomia Online.

Hamza para komisionit për Buxhet dhe Financa, kur po shqyrtohej Projektligjin për Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2019, shtoi se të hyrat totale buxhetore pritet  të jenë mbi 1 miliard e 400 milionë.

“Ky draft-buxhet që është aprovuar nga Qeveria është një produkt i nxjerr nga një proces gjithëpërfshirës. Si i tillë ky draft adreson prioritetet e institucioneve tona për përmirësim të jetës se qytetarëve. Gjatë përgatitjes së këtij draft-buxheti prioritetet për financim janë vendosur sipas prioriteteve”.

“Rritja ekonomike pritet të jetë 4.7% në terma real. Sa i përket çmimeve pritet një stabilitet i theksuar. Projeksionet mbi të hyrat janë të ndërtuara mbi parimet: politikat tatimore do të jenë mbështetës të sektorit privat, ATK dhe Dogana do të përmirësohen tutje, do të luftohet informaliteti, të hyrat totale buxhetore pritet  të jenë mbi 1 miliard e 400 milionë”.

Hamza ka folur edhe për planifikimin e shpenzimeve ku sipas tij, rritje të buxhetit do të ketë në të gjitha kategoritë ekonomike gjithashtu edhe në nivelin lokal.

“Duke u bazuar në rritjen e të hyrave kemi bërë planifikim edhe për shpenzimet. Do të ketë rritje të theksuar në rritjen e kapitalit publik, rritje do të ketë për të gjitha kategoritë ekonomike, rritje do të ketë edhe në nivelin lokal”.

“Kemi rritje të planifikuar mbi shpenzimet rrjedhëse. Deficiti buxhetor do të jetë 2% në bruto-produktin vendor e që është i lejuar. Ky nivel i deficitit do të kombinohet me huamarrje të jashtme dhe të brendshme. Do të ketë huamarrje por asesi huamarrje që dëmton vendin dhe fut në borxh publik”.

Kryetari i komisionit, Lumir Abdixhiku e cilësoi si shqetësuese që gjysma e buxhetit të Kosovës do të shkoj në skema sociale dhe rroga derisa tha se frikësohet që Kosova po shkon drejt një borxhi më të madh publik.

“Plani i Qeverisë që e kemi diskutuar në Kuvend është 8% ndërkaq sot na vjen 4.5%. Jam i shqetësuar për rritjen e borxhit publik në terma real. Shqetësuese është rritja e shpenzimeve prej 12.5% përkundër rritjes së të hyrave 7%”.

“Pjesa më e madhe e buxhetit është social. 100 milionë euro shkojmë në skemën e veteraneve, në Kosovë janë 22 skema sociale. Është shqetësuese që 54% e buxhetit shkon në paga dhe skema sociale. Është shqetësuese që është ndarë me pak buxhet”.

Deputeti i AAK-së, Blerim Kuqi tha se ky draft-buxhet është ana më pozitive që Kosova ka.

“Kryesuesi i nxori vetëm anët negative të këtij draft-buxheti. Sipas të dhënave të ATK-së numri i të punësuarve është rritë mbi 18 mijë vende të punës. Ky buxhet është ana më pozitive që kemi dëgjuar kohëve të fundit”.

“Krahasuar prej 2017 është rritë buxheti mbi 36%. Për mua vërejtje ka në ndarje buxhetore, sepse nuk ka ndarje specifike të buxhetit për krijim të vendeve të reja të punës”.

Deputeti i VV-së, Ali Lajçi tha se orientimi i buxhetit në Kosovë bëhet në një kornizë të njëtrajtshme, raporton EO.

“Ne e kemi një ekonomi tregtare dhe joprodhuese e cila do të nivelizonte ekonominë në vend. Ky trend i zhvillimeve ekonomike është trend i buxhetit të sotme. Orientimi i buxhetit në Kosovë ka një kornizë të njëtrajtshme”.

“Në përgjithësi duhet të parë buxhetin në bazë të Qeverisë, se cilat janë programet e asaj Qeverie, dhe ne këtë plan do të shohim se cilat do të jenë realizimet”, tha ai.

Të ngjashme