Rukiqi e Zeka takojnë kryeinspektorin e Tregut, shprehin shqetësimin lidhur me pengimin arbitrar të punës së ndërmarrjeve private

Prishtinë | 16 Mar 2020 | 12:24 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shprehin shqetësimin e tyre lidhur me pengimin e punës së veprimtarive ekonomike anembanë vendit në kundërshtim me vendimin e djeshëm të Inspektoratit të Tregut i cili në mënyrë të qartë cek veprimtaritë ekonomike të cilat mund të vazhdojnë në punën edhe pas marrjes së masave parandaluese kundër pandemisë COVID-19.

Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, dhe drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, janë takuar me Kryeinspektorin e Tregut, Lulzim Syla, për të përcjellë këto shqetësime të bizneseve dhe rëndësinë e mosndërprerjes së veprimtarisë ekonomike, për shkak të pasojave të cilat kjo mund të ketë në ekonominë e vendit. Kryeinspektori Syla në anën tjetër konfirmoi se vendimi i djeshëm i shpërndarë përmes një qarkoreje të Inspektoratit të Tregut mbetet ende i vlefshëm.

Ata kanë thënë se veprimet e tilla arbitrare ndikojnë në rritjen e konfuzionit të shkaktuar ditëve të fundit, por edhe në rritjen e pakontrolluar të panikut nga ana e qytetarëve.

Rukiqi, ka thënë se janë dakorduar me Sylën që masat e ndërmarra nga ana e Qeverisë ditën e djeshme, të zbatohen në përpikëri.

“Jemi dakorduar me Lulzim Sylën që të komunikojmë çdo rast kur shkelet ky vendim dhe të sigurohemi që bizneset të punojnë normalisht. Ne nuk e kemi komoditetin që t’i ndalim të gjitha, për shkak se pasojat do të jenë të pariparueshme por të njëjtën kohë mund të na rrezikohet komplet zinxhiri i furnizimit”.

“Ajo që është thirrja e përbashkët e Odave, është që ne i kemi harmonizuar masat me qeverinë dhe të miratohen sa më shpejtë që është e mundur, që është një lehtësim për bizneset që këto ditë po bëjnë shumë përpjekje të mbijetojnë dhe të jenë afër qytetarëve”, ka thënë Rukiqi.  

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës (OEAK), Arian Zeka, ka kërkuar nga inspektorët që mos të bëjnë presion mbi bizneset, raporton EO.

“Ne kemi marrë informatat se gjatë ditës së sotme, disa biznese janë përballë me ndërhyrje nga ana e autoriteteve inspektuese komunale dhe ne besojmë se në këtë situatë, pavarësisht gjendjes që po kalon vendi, autoritetet komunale nuk duhet të kalojnë në pozicion anarkik, ashtu që të shkelen vendimet e Qeverisë”.

“Zotri Syla na tha se vendimi që na është komunikuar gjatë ditës së djeshme është i vlefshëm, prandaj nuk shohim ndonjë arsye përse inspektorët komunalë të përcjellë në disa raste edhe me policë kanë ndërhyrë në punën e kompanive që nuk iu ndalohet operacionet gjatë këtyre ditëve”, ka thënë Zeka.

Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë thërrasin autoritetet komunale, Policinë e Kosovës, si dhe të gjitha trupat inspektuese që të respektojnë vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Inspektoratit të Tregut dhe të mos ndërhyjnë në mënyrë arbitrare duke penguar punën e ndërmarrjeve private, të cilat janë jetike në ruajtjen e furnizimit normal për qytetarët.

Po ashtu, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të aprovojë vendimin për planin e masave që do të lehtësonin operimin e bizneseve në këto ditë të situatës emergjente, sipas propozimit të bërë gjatë ditës së djeshme. Në anën tjetër, të dyja institucionet thërrasin ndërmarrjet tregtare që të veprojnë gjithashtu me përgjegjshmëri duke mos abuzuar me ngritjen e çmimeve në këto ditë të vështira.

Të ngjashme