Rukiqi kundër propozimit të VV-së: Marzhat për të mbuluar paaftësinë në menaxhim të krizës

Prishtinë | 30 Qer 2022 | 13:46 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka kundërshtuar propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje që të iniciohet ligji për caktim të marzhës në fitim për produktet bazike. Sipas tij, kjo është ndërhyrje e papranueshme dhe antikushtetuese.

“Është precedent jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe ka për synim ta mbulojë paaftësinë në menaxhim të krizës me çmime. Për ta menaxhuar një krizë, fillimisht duhet ta pranosh që ka krizë”, ka shkruar ai në Facebook. “Nëse kemi ‘spekulues’ të çmimeve në treg dhe të tillë që dëmtojnë konkurrencën në treg, duhet t’i luftosh të njëjtit, por jo ta mbysësh krejt tregun”.

Rukiqi në fund ka thënë se duhet të ketë norma më të ulëta të TVSH-së për produkte bazë dhe subvencionimi i një pjese të shpenzimeve të transportit si masa fillestare për adresimin e krizës aktuale.

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka propozuar të enjten në Kuvend që të iniciohet projektligji që përcakton marzhën e fitimit për produktet bazë, ka bërë të ditur shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Në Kuvend ajo ka thënë se nëse reduktohet TVSH-ja, sipas kërkesës së opozitës, të hyrat nga Administrata Tatimore e Kosovës do të ndikohen dhe do të ketë ulje dhe më pak të hyra për fondet për shpërndarje.

Ditë më parë, Qeveria miratoi një udhëzim administrativ për t’i rregulluar çmimet e derivateve duke përcaktuar marzhën e fitimit për bizneset. Kusari-Lila tani ka thënë se “në këtë kohë krize, grupi i VV-së propozon të iniciojë projektligjin për përcaktimin e fitimit për produktet bazë”.

Të ngjashme