Sefaj: FMN e MF kundër Projektligjit për pensonimin e parakohshëm në Polici

Prishtinë | 04 Mar 2018 | 13:57 | Nga

Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, po e vlerëson të rëndësishëm Projektligjin për pensionimin e parakohshëm në Polici. Projekligji sipas tij, përmirëson shërbimet dhe lufton korrupsionin, raporton EkonomiaSot.

Sefaj gjithashtu bën të ditur që FMN-ja ka një rezistencë ndaj këtij Projektligji për shkak të impaktit që mund të ketë ky ligj në sistemin makrofiskal të vendit, por që sipas tij, ky ndikim mund të përballohet. “…kemi një rezistencë të FMN-së rreth kësaj çështjeje sepse ata sipas të gjitha kalkulimeve të tyre konsiderojnë që sistemi ynë makroekonomik nuk mund të përballoj aplikimin e një ligji të tillë, por unë mendoj që ky ligj është i qëndrueshëm dhe sistemi ynë ekonomik mund ta përballoj, sepse është gradual, nuk bëhet pensionimi i të gjithë pjesëtarëve të policisë vitin e parë apo të dytin, por dilatohet në vite”.

“Ne kemi pasur takim me FMN-në, natyrisht ata e aplikojnë një shkollë mendimi mjaft margjinalist, bazohen në kalkulime të bilancit, por unë mendoj që ne mund të bëjmë llogari të tjera dhe duhet të shohim se çfarë impakti një ligj për pensionim të tillë ka në një popullatë prej 8 mijë pjesëtarëve të Policisë. Mund të ketë një impakt në sistemin mikroekonomik, por po ashtu ky mund të ndikoj edhe në përmirësimin e shërbimeve që jep policia, sepse në atë rast një pjesëtar i Policisë para se të pranoj po e them në mënyrë hipotetike në trafik 20 euro nga dikush do të mendonte se do të humbiste një prevencion për të ardhmen që është shumë kualitativ, pra kjo do të ndikoj edhe në uljen e fenomenit të korrupsionit”, tha ministri Sefaj.

Edhe Ministrisë së Financave nuk po i pëlqen ky Projektligj. Krejt kjo rezistencë ndaj këtij Projektligji nga FMN-ja dhe Ministria e Financave po vjen si pasojë e frikës së shpërndarjes edhe në kategori të tjera. “Mendoj që frika e cila vjen nga këto institucione si FMN-ja, por edhe Ministria e Financave është droja që ky fenomen të përhapet edhe në kategori të tjera, gjë që nuk mund të ndodh sepse një tip i pensionimit të tillë ekziston në FSK dhe duhet të aplikohet edhe në këtë institucion i cili sot garanton sigurinë në shtetin tonë siç është Policia e cila është e angazhuar 24 orë në terren për të siguruar një jetë më të sigurt për të gjithë qytetarët . Pra duhet të aplikohet një ligj i tillë vetëm për institucionet e sigurisë sepse siguria është kriteri kryesor që partnerët tanë siç është në këtë rast SHBA-ja dhe Bashkësia Ndërkombëtare e konsiderojnë si kriter themelorë që ne të bëjmë pjesë në këto shoqëri”.

Sefaj ka thënë se nevoja për një Projektligj të tillë vjen edhe si nevojë për rigjenerimin e Policisë. Ai tha se 8 mijë pjesëtarët e Policisë nuk pasqyrojnë popullatën e përgjithshme për nga mosha.

“Implikimi buxhetor nuk është kaq i dhimbshëm siç përshkruhet , unë kam biseduar edhe me Sindikatën e Policisë dhe të gjithë janë dakorduar që të procedohet ky ligj ,sepse Policia jonë sot nuk e pasqyron popullatën tonë për nga mosha. Është një organizatë e cila është duke avancuar në moshë dhe absolutisht kemi nevojë që të rigjenerohet kjo organizatë dhe kjo do të mundësohej përmes këtij ligji , të themi në mënyrë të padhembshme dhe në të njëjtën kohë një organizatë aq të rëndësishme t’i garantohej një ligj i cili respekton të drejtat e tyre dhe të gjithë atë mundin që ata e kanë bërë ndër vite për të na dhënë një siguri më të mirë. Shikoni kjo është e nevojshme, sepse ne nuk mund ta angazhojmë një 55 vjeçar të vrapoj pas një delinkuenti dhe ky ligj parasheh që nga ajo moshë të marr një pension për gjithë jetën”, tha ai. “Jam shumë optimist që deri në fund të vitit që këtë ligj ta çojmë përpara”, tha Sefaj.

Sefaj tha se aktualisht projektligji është në Ministrinë e Financave për vlerësim.

Të ngjashme