Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë ndërpret rastin kundër Kosovës për mungesë të zbatimit të rregullave të ndihmës shtetërore

Prishtinë | 02 Shk 2021 | 15:59 | Nga Ekonomia Online

Në një njoftim të lëshuar nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, nga sot, është vendosur të ndërpritet, një rast i ngritur dhe që ka qenë në vazhdimësi kundër Kosovës,  për mungesë të transpozimit dhe të zbatimit të rregullave të BE-së në fushën e ndihmës shtetërore, që lidhen me sektorin e energjisë.

Republika e Kosovës nga viti 2006 është një nga palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë, dhe duke qenë e tillë ka marrë obligim për transpozim dhe zbatim të rregullave të vendosura, përfshirë edhe atyre për ndihmën shtetërore në këtë sektor specifik.  

Njoftimi i Sekretariatit thotë se në vitin 2011, Kosova  miratoi Ligjin për Ndihmën Shtetërore (i rishikuar në 2016) i cili transpozon acquis të ndihmës shtetërore. Ndërsa në fund të vitit të kaluar, Komisioni i Ndihmës Shtetërore nxorri vendimin e tij të parë në lidhje me ndihmën shtetërore në sektorin e energjisë. ‘Komisioni i Ndihmës Shtetërore në këtë rast gjeti se një tarifë e përcaktuar administrativisht për 20 MW të projekteve fotovoltaike nuk përputhet me acquis e ndihmës shtetërore’ – thuhet në njoftimin e lëshuar nga Sekretariati sot. Komisioni dhe Departamenti i Ndihmës Shtetërore në Kosovë mirëpresin vendimin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vjenë dhe vlerësojnë bashkëpunimin e ndërsjellë me të gjithë akterët në sektorin e energjisë në përpjekjen për shqyrtim dhe përafrim të masave të ndihmës shtetërore në këtë sektor (dhe jo vetëm) përfshirë edhe ato të vëna në zbatim në kontekstin e rimëkëmbjes ekonomike COVID-19.    

Të ngjashme