Sektori i minierave në fokus të investitorëve kanadezë

Prishtinë | 18 Tet 2018 | 13:55 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, priti në takim Ambasadorin e Kanadasë jo-rezident në Kosovë, Daniel Maksymiu,  me të cilin diskutuan për zhvillimet në vend, si energjia, teknologjia e informacionit, por me theks të veçantë për sektorin minerar.

Fokusi kryesor i takimit ishin potenciali minerar që ofron Kosova, me këtë rast ministri Lluka e njoftoi ambasadorin për zhvillimet e fundit për Trepçën, si krijimi i bordit, finalizimi i statutit si dhe studimi i fizibilitetit i cili është duke u zbatuar.

“Që nga takimi jonë i fundit janë bërë zhvillime pozitive për sa i përket ndërmarrjes së Trepçës, është krijuar bordi, është finalizuar statuti dhe studimi i fizibilitetit është duke u zbatuar. Pasi të finalizohet gjithçka në Trepçë do të donim të shihnim më shumë kompani kanadeze në të”, tha ministri Lluka.

Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për mundësitë e investimeve kanadezë në sektorin e Teknologjisë Informative dhe Komunikuese, po ashtu edhe në sistemin e ujitjes, ku kreu i MZHE-së tha se mirëpret investimet kanadeze në këta sektor të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.

Në fund të takimit Ambasadori kanadez tha se është i kënaqur që ka përparime në sektorin minerar dhe tha se investitorët kanadez do të fokusohen edhe në sektorë te tjerë.

“Ne jemi të gëzuar për këto zhvillime pozitive të cilat kanë ndodhur gjatë kësaj kohe, sidomos në atë minerar. Ky do të jetë një lajm shumë i mirë për investitorët kanadez. Ne duam që ta zhvillojmë edhe më tej bashkëpunimin dhe do ti shohim mundësitë e sjelljes së investitorëve potencial në Kosovë përmes agjencive Kanadeze të eksportit”, u shpreh ambasadori Daniel Maksymiuk.

Ministri Lluka falënderoi Ambasadorin Kanadez, Daniel Maksymiuk dhe tha se bashkëpunimi mes te dyja vendeve do të thellohet edhe më shumë.

Të ngjashme