Serbia e para në botë për investime të huaja, Kosova jashtë ligës

Prishtinë | 16 Gus 2019 | 08:02 | Nga Ekonomia Online

Serbia është renditur si vendi i parë për investime të huaja të tipit “Greenfield” (investime të reja, me potencial për më shumë vende pune), sipas FDI Intelligence (të dhënave për Investime Direkte të Huaja), pjesë e “Financial Times”.

Pas Serbisë është renditur Mali i Zi, ndërkohë që Kosova nuk është matur fare në këtë indeks. Kjo pasi, ajo me vite të tëra nuk ka arritur që të ketë investime të tipit të tillë dhe se i vetmi investim i huaj në vlerë të madhe llogaritet objekti i ri i Ambasadës Amerikane, shkruan Koha Ditore.

Të dhënat e FDI-së për investimet “Greenfield” sigurohen nga tregjet e FDI-së dhe se në këtë indeks llogariten vetëm investimet e mëdha. Për të hyrë në mesin e 105 shteteve sa ishin për vitin 2019 duhet të realizohen të paktën 10 projekte të tilla në vitin paraprak.

Këtë vit këtij indeksi i janë shtuar: Bolivia, Qiproja, El Salvadori, Guatemala, Xhamajka, Kuvajti, Laosi, Maqedonia Veriore, Mali i Zi, Paraguai, Uganda, Uzbekistani dhe Zimbabveja.

Kosova që nga paslufta nuk ka arritur që të sigurojë asnjë investitor të madh. Investimet e huaja direkte përbëjnë kryesisht remitencat që vijnë nga diaspora, që kryesisht shkojnë për ndërtim të shtëpive. Shkaqe që Kosova nuk po arrin që të vendoset në hartën e investimeve strategjike, sipas njohësve të çështjeve ekonomike, janë siguria juridike dhe stabiliteti politik në vend.

Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë për gazetën se Kosova ka probleme me mosfunksionimin e gjykatave dhe me çështjet pronësore, të cilat ndikojnë direkt tek investitorët. Problematike, sipas tij, janë vakuumet e shpeshta politike pasi shpeshherë po ka bllokada të institucioneve shkaku i zgjedhjeve të shpeshta që po mbahen në Kosovë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme