Shahini: Investitorët e huaj po ikin nga Kosova, s’ka siguri e as vullnet politik

Prishtinë | 21 Kor 2019 | 08:11 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ditë më parë nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Misionin Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet (DMPP) për të promovuar vlerat ekonomike vendore dhe kombëtare në vendet ku nuk ka qasje dhe ka pengesë diplomacia kosovare.

Spanja si njëra nga vendet e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës do të ketë po ashtu një misionar i cili do të ofrojë më shumë informata dhe mundësi për t’u përafruar drejt shkëmbimeve tregtare, politike dhe diplomatike.

Misionarët e tillë po vlerësohet se janë shumë të nevojshëm, e sidomos në këtë periudhë, ku lobimi i Serbisë kundër Kosovës ka arritur në nivel të lartë dhe me ndikim negativ për Kosovën.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, në një intervistë për Ekonomia Online thotë se pos lobimit të Serbisë kundër Kosovës edhe problemet aktuale në vend janë duke ndalur  investitorët e huaj, ngjashëm po ndodhë edhe për Shqipërinë.

“Ndikimi politik në ekonominë e Ballkanit Perëndimor është prezent dhe kjo për fat të keq po ndikon që investitorët vendor dhe të huaj të shikojnë edhe klimën politike përpos asaj ekonomike, për vendin tonë shkruhet në gjitha vendet e ndryshme të botës duke lobuar Serbia që atje nuk ka siguri për investime, kurse në Shqipëri protestat e një pas njëshme kundër njëri-tjetrit në kohën e sezonit edhe atje ka ndikuar që pushues të kenë më pak”, tha Shahini.

Aferat e ndryshme korruptive, ndërhyrja në gjyqësor, por edhe Gjykata Speciale, sipas të parit të AKB-së, janë disa nga arsyet që ndikojnë negativisht në klimën e të bërit biznes.

“Hiq më mirë nuk është edhe tek ne në Kosovë sepse aferat e ndryshme që vazhdimisht janë duke u raportuar Gjykata Speciale që edhe kjo është një nga ato që raportohet por edhe gjykimet e ndryshme apo ndërhyrja në procesin gjyqësor që raportohet nga politika kjo ndikon drejtpërdrejt nëse në këto vende ende ka hapësirë për rend dhe ligj”, tha ai.

Shahini thotë se edhe ndërhyrjet politike që u bëhen institucioneve të pavarura largojnë investitorët.

Përmend rastin e fundit të ndërhyrjes politike në vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë është një shembull i keq për vendin.

“Investitorët dhe korporatat e fuqishme nuk shkojnë në një vend ku nuk ka siguri juridike, nuk ka siguri për investime dhe ku kontestohen vendimet e gjykatës apo vendimet e organizatave të pavarura që ditë më herët u raportua se nuk pajtohen shumë nga Këshilli për Akreditim i cili ka tërheqë disa akreditime për disa institucione arsimore qoftë private apo publike. Ne duhet të mësohemi që kur të ia besojmë dikujt një udhëheqje të një institucioni ne duhet ta monitorojmë por jo në fund të mos i besojmë një vlerësimi të tillë”, tha ai, për EO.

Shahini thotë taksa 100% ndaj Serbisë e Bosnjës ka kthyer vëmendjen e vendeve tjera kah Kosova, por kjo i ka kushtuar edhe xhepit të qytetarëve pasi që çmimet e produkteve janë rritur për 1.5%, kurse transportet janë rritur mbi 40%, ndërsa në këtë periudhë më shumë ka pasur shkëmbimet tregtare me Shqipërinë.

Thotë se Kosova dhe Shqipëria asnjëherë nuk mund të ketë barriera ndaj njëra-tjetrës, ndërsa kushtet që vendosen janë për të mbrojtur secila nga vendet prodhimin e tyre vendës.

“Jo kjo nuk do ndodhë, nuk ka në Kosovë institucion për të cilin guxon të marr një vendim për të i vendosë barriera Shqipërisë, ose në Shqipëri me i vendosë barriera Kosovës. Ne kemi herë pas herë mosmarrëveshje të disa produkteve, por shtetet Kosova dhe Shqipëria janë shtete të pavarura e autonome, kanë të drejtë sipas marrëveshjes së CEFTA-s që në momente të caktuara nëse kanë hiperproduksion të ndonjë produkti t’i vë kushte ndonjë shteti tjetër dhe në bazë të marrëveshjes këto nganjëherë aktivizohen, por janë të rralla ato pengesa dhe ne duhet të i kuptojmë që secili shtet duhet të mbroj prodhimin e vendit”, thotë ai.

Shahini potencoi se në Kosovë brenda ditës pushojnë rreth 15 biznese, pasi që shumica prej tyre nuk i plotësojnë kushtet për mbyllje të biznesit dhe kështu ato nuk ushtrojnë aktivitet për vete.

Ndërsa thotë se shuarja dhe pushimi i bizneseve ndikon drejtpërdrejt në ekonominë, buxhetin e vendit dhe rritjen e papunësisë.

Të ngjashme